Trump thotë se Rusia dhe Ukraina janë ‘shumë afër një marrëveshjeje’ – kërkon që ‘të dyja palët tani duhet të takohen’

Donald Trump ka thënë se Rusia dhe Ukraina janë “shumë afër një marrëveshjeje” me “shumicën e pikave kryesore të dakorduara” – ndërsa bëri thirrje që të dyja palët të takohen.
Menjëherë pas mbërritjes në Romë për funeralin e Papa Françeskut, presidenti amerikan theksoi se zyrtarët e nivelit të lartë tani duhet të takohen për të “përfunduar [marrëveshjen]”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Një ditë e mirë në bisedime dhe takime me Rusinë dhe Ukrainën”, shkroi zoti Trump në platformën e tij Truth Social.
“Ata janë shumë afër një marrëveshjeje dhe të dyja palët tani duhet të takohen, në nivele shumë të larta, për ta ‘përfunduar atë’”.
“Shumica e pikave kryesore janë dakordësuar. Ndalojeni gjakderdhjen, TANI. Ne do të jemi kudo që të jetë e nevojshme për të ndihmuar në ‘lehtësimin’ e FUNDIT të kësaj lufte mizore dhe të pakuptimtë!”.
Gjatë gjithë javës, presidenti amerikan ka kritikuar si Ukrainën ashtu edhe Rusinë për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Të mërkurën, ai akuzoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për dëmtimin e bisedimeve.
Një ditë më vonë, pasi nëntë persona u vranë në Kiev pas një sulmi me raketa dhe dron rus, Trump tha: “Vladimir, NDALO! 5000 ushtarë në javë po vdesin. Le ta përfundojmë Marrëveshjen e Paqes!”.
Presidenti dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë kërcënuar gjithashtu të tërhiqen nga negociatat nëse nuk arrihet përparim drejt një marrëveshjeje.
Kjo vjen pasi i dërguari i zotit Trump, Steve Witkoff, u takua me Vladimir Putin në Moskë për të diskutuar një plan paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për Ukrainën.
Bisedimet i lejuan Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të “afronin më tej qëndrimet e tyre” mbi “një numër çështjesh ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë një ndihmës i Kremlinit.
Duke folur më parë në fluturimin për në Itali, zoti Trump tha se nuk ishte informuar plotësisht për takimin e zotit Witkoff dhe zotit Putin – por shtoi se ishte një “takim mjaft i mirë”.
Udhëheqësit botërorë po mblidhen në Qytetin e Vatikanit për funeralin e Papës.
Nuk ka plane zyrtare për takime, por afërsia e tyre mund t’u japë atyre mundësinë për të diskutuar për luftën në Ukrainë.
Kujtojmë se Rusia dhe Ukraina nuk kanë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta që nga javët e para të luftës, e cila filloi në shkurt të vitit 2022.
Ukraina ka thënë vazhdimisht se nuk do të pranonte një marrëveshje që lëshon tokë ose ia dorëzon sovranitetin Rusisë.
Megjithatë, zoti Trump tha në një intervistë me revistën TIME se “Krimea do të mbetet me Rusinë”, duke e përshkruar rajonin si një vend ku Moska “ka pasur nëndetëset e saj” dhe “njerëzit flasin kryesisht rusisht”.
“Zelenskyy e kupton këtë dhe të gjithë e kuptojnë se kjo ka qenë me ta për një kohë të gjatë”, shtoi ai. “Ka qenë me ta shumë kohë para se të vinte Trump”.
Dhe kur u pyet të premten në lidhje me komentet e Trump, Zelensky nuk donte të komentonte, por përsëriti se njohja e territorit të pushtuar ukrainas si rus është një vijë e kuqe. /Telegrafi/