BDI: LEN me 9 deputetë pretendon të përfaqësojë mbi 29% shqiptarë në institucione

A është eksperiment përpjekja për të normalizuar një qeveri pa shumicë shqiptare, pa mandat dhe pa përfaqësim të drejtë?, pyesin mes tjerash nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga BDI thonë se partitë shqiptare në pushtet heshtin ose bashkëpunojnë në kurriz të të drejtave kolektive të popullit të shqiptar.
“Përfaqësues të koalicionit LEN, i cili me vetëm 9 deputetë ( 1.3% të deputetëve) pretendon të përfaqësojë mbi 29% shqiptarë në institucione, vazhdojnë të relativizojnë bashkëpunimin e tyre të mëhershëm me partitë maqedonase, duke e quajtur atë “eksperiment që nuk funksionoi”.
Por problemi nuk qëndron tek një eksperiment i dështuar politik. Problemi është se kjo qasje e eksperimentimit me shqiptarët po vazhdon – me pasoja reale dhe të rrezikshme.
Historikisht, regjimet më represive në rajon, veçanërisht ai i Millosheviqit, kanë përdorur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si inkubator për të testuar politika ndaj “çështjes shqiptare”.
Dhe ajo që dikur vinte nga jashtë, sot po zbatohet nga brenda – me shqiptarë që heshtin ose bashkëpunojnë në kurriz të të drejtave kolektive të popullit të vet.
Sot jemi dëshmitarë të një vale të re eksperimentimesh:
• A është eksperiment përpjekja për të normalizuar një qeveri pa shumicë shqiptare, pa mandat dhe pa përfaqësim të drejtë?
• A është eksperiment vendosja e një eksponenti pro-rus si Stoilkovic në krye të Marrëveshjes së Ohrit?
• A ishte eksperiment manipulimi i rezultateve të regjistrimit të popullsisë, përjashtimi i diasporës dhe ulja e përqindjes së shqiptarëve nga 29.3% në 24.5%?
• A është eksperiment sfidimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Gjuhët në Gjykatën Kushtetuese, për të parë sa do të heshtin shqiptarët?
• A është eksperiment heqja e mekanizmit të balanserit dhe lënia e institucioneve në mëshirën e ministrave dhe drejtorëve me qëndrime antishqiptare?
• A është eksperiment që inspektorët për gjuhën shqipe nuk marrin rrogë për muaj të tërë, me qëllim që të dorëhiqen dhe të zhbëhet mekanizmi i zbatimit të ligjit?
E gjithë kjo nuk është as gabim, as rastësi.
Është një model: të testosh kufirin e pranueshmërisë së shqiptarëve.
Por e vërteta është se ndërkohë që po përpiqeni të eksperimentoni me shqiptarët, vetë jeni bërë eksperiment i një boshti hibrid politiko-oligarkik – një koalicion interesi dhe agjendash të errëta që po ju përdor për të zhbërë sistemin e ndërtuar mbi barazi dhe bashkëjetesë.
Ky eksperiment do të dështojë.
Ashtu siç kanë dështuar të gjithë të mëparshmit”, thuhet në komunikatën e BDI-së.