Tre të lënduar nga përplasja e një “Golf”-i me një “Audi” në Shkup
Tre persona kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Shkup, në kryqëzimin e rrugëve “Brigada Maqedono-Kosovare” dhe “Brigada e Dytë Maqedonase”.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), aksidenti ndodhi rreth orës 19:10, ku u përplasën një veturë “Golf” me targa të Shkupit, e drejtuar nga një 20-vjeçar me inicialet S.S., dhe një “Audi” me targa të Kosovës, që drejtohej nga një 32-vjeçar, A.M., nga Kosova.
Nga përplasja u lënduan drejtuesi i “Golf”-it dhe bashkudhëtari i tij, S.M. Të dy u transportuan me ambulancë në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza”, ku iu konstatuan lëndime trupore.
Lëndime pësoi edhe drejtuesi i “Audi”-t, i cili u dërgua për trajtim në spitalin “Shën Naumi i Ohrit”.
Në vendin e aksidentit është kryer ekspertizë nga një ekip i SPB-së së Shkupit.

