(VIDEO) Levica dorëzoi në Kuvend propozim ligj për ndryshimin e kodit penal

Grupi parlamentar i “Levicës” ka propozuar ndryshime në Kodin Penal, për të cilat thonë se një sërë veprash penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës zyrtare të mos vjetërsohen kurrë. Zëdhënësi i kësaj partie Amar Mecinoviq tha se elita politike e pandëshkueshme duhet të përballet me ligje të reja.
AMAR MECINOVIQ, ZËDHËNËS I LEVICËS
“Rrethi vicioz i pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit për elitën politike dhe të biznesit duhet të përballet me ndryshime drastike. Këtë po e bëjmë si korrigjim të asaj që ishte një nga ditët më të turpshme për pushtetin ligjvënës në Republikën e Maqedonisë në mandatin e kaluar. Atëherë qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së, me shumicën e siguruar nga VMRO-DPMNE, e zvogëloi në mënyrë drastike politikën penale dhe periudhën e vjetërsimit të veprave penale, për të përmbushur interesat e pandëshkueshmërisë së elitës politike dhe biznesore në Maqedoni”.
Ulja drastike e dënimeve dhe periudha e vjetërsimit sipas Levicës ndikon edhe në hetimin e ngjarjes fatkeqe në Koçan, ku më së paku do të përfshihen ata që duhet të përfshihen dhe nuk do të shqiptohen dënimet në mënyrën e duhur. Ulja e dënimeve, thonë ata është legalizimi më i vrazhdë i pandëshkueshmërisë, një amnisti për elitën politike dhe të biznesit dhe një derë e hapur që korrupsioni të vazhdojë të lulëzojë.
Në ndryshimet në Kodin Penal, Levica propozon edhe shtimin e veprave penale në kategorinë e veprave që nuk kanë vjetërsim, të cilat kanë të bëjnë me veprat e krimit ekonomik dhe shpërdorimin e pozitës zyrtare.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/