(VIDEO) Digjen dy banesa, lëndohen katër persona

Vikendi i zgjatur ka qenë sfidues për zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pjestarët e njësitit të zjarrfikësve, pasi një banesë është djegur në Aerodrom të Shkupit dhe një në tjetër në Prilep. Zjarr ka pasur edhe në Ohër, ku janë djegur shtatë hektarë kallam.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se nga zjarri në Aerodrom, dy persona kanë përfunduar në spital.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Herët në mëngjes, në orën 05:14 minuta, në Sektorin për Punë të Brendshme Shkup është raportuar se ka rënë zjarr në banesë në pronësi të P.D. (74) në komunën e Aerodromit. Nga zjarri lëndime ka pësuar pronari dhe djali i tij, O.D (52). Për shkak të thithjes së tymit ata janë transportuar në Kompleksin Klinikë ‘Nënë Tereza’ për ndihmë mjekësore”.
Të lënduar kanë mbetur edhe dy qytetarë të tjerë nga Shkupi të cilët kanë qenë duke jetuar në një banesë në Prilep e cila gjithashtu u përfshi nga zjarri.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Më 20.04.2025 rreth orës 13:00 në SPB Prilep është raportuar se në një banesë në lagjen ‘Toçillë’ të Prilepit në pronësi të T.J. ka rënë zjarr. Në banesën e tij kanë banuar motra e tij, C.S (51) dhe dhëndrri i tij D.P (40) të dy nga Shkupi”.
Zjarri ka sfiduar edhe zyrtarët e MPB-së dhe njësitit të zjarrfikësve në Ohër, ku nga zjarri janë djegur shtatë hektar kallamishte.
Mevludin Imeri /SHENJA/