5 vjet nga anëtarësimi i RMV-së në NATO, Osmani: VLEN po e largon vendin nga partnerët strategjik

Me rastin e 5 vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, nënkryetari i BDI-së, njëherë edhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani thotë se në këtë ditë u vulos e ardhshmja e përbashkët me botën perëndimore.
Osmani kritikon qasjen e koalicionit VLEN në qeveri, duke thënë se ata po e afrojnë vendin me interesa kinezo-ruse.
“Ky ishte momenti kur e ardhmja jonë u vulos krah për krah me botën perëndimore, në një aleancë që garanton siguri, stabilitet dhe prosperitet për qytetarët tanë. Ky ishte rezultati i një angazhimi të gjatë dhe një zgjedhjeje të qartë për të qenë pjesë e vlerave euro-atlantike. Por sot, pesë vite pas këtij momenti historik, ata që duhej ta forconin këtë orientim e kanë shndërruar në një rrugë të pasigurt. VLEN po e çon vendin në një drejtim të rrezikshëm, duke e larguar nga partnerët strategjikë dhe duke e afruar me interesa kinezo-ruse që veprojnë përmes lojtarëve rajonalë. Në vend të fuqizimit të pozicionit tonë në NATO dhe BE, shohim një qasje që po e lë vendin të ekspozuar ndaj ndikimeve që bien ndesh me interesin tonë kombëtar. Ky nuk është destinacioni që zgjodhën qytetarët. NATO nuk është thjesht një anëtarësim në letër, por një angazhim i vazhdueshëm për ta mbrojtur rrugën tonë drejt demokracisë dhe stabilitetit”, ka shkruar mes tjerash Osmani.