(VIDEO) LSDM dhe VMRO akuzojnë njëra tjetrën për përfitime nga Pucko Petrol

Pucko Petrol ka qenë furnizues i preferuar i komunave të udhëhequra nga VMRO-DPMNE për një periudhë të gjatë, vite më parë, thonë nga LSDM. “Me vetëm tri kontrata të lidhura me komunën e Manastirit, ku kryetar është Konjanovski nga VMRO-DPMNE, në këtë kompani kanë përfunduar gati 240 mijë euro.
LSDM
“Këto janë vetëm 3 nga mbi 170 marrëveshjet e tenderëve që komunat dhe institucionet e drejtuara nga VMRO-DPMNE kanë lidhur me Pucko Petrol. Qytetarët e dinë se ky është një biznes që ka lindur në kohën kur VMRO dhe BDI ishin në koalicion”.
LSDM kërkon që VMRO dhe Mickoski të dalin para qytetarëve dhe të përgjigjen se sa miliona para publike përmes komunave, ministrive dhe institucioneve të tjera që menaxhojnë kanë përfunduar në Pucko Petrol?
Ndërkaq, deputeti I VMRO-së, Bojan Stojanoski tha se Pucko Petrol dhe LSDM e kanë mashtruar popullin, përmes tenderëve.
BOJAN STOJANOSKI, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË
„180 milionë euro kanë përfunduar vetëm në llogarinë e Pucko Petrol, pa llogaritur këtu 167 milionë euro për naftën e cilësisë së ulët që, përmes RKM-së, është dorëzuar në EMV, respektivisht në REK Manastir dhe TEC Negotinë. Nëse shikohet totali, arrin në një qarkullim mbi 350 milionë euro, që LSD ia mundësoi Pucko Petrol, Jahoskit dhe RKM-së”.
Stojanovski tha se Asmir Jahoski i Pucko Petrol, nga LSD si pushtet qendror dhe lokal për 7 vjet ka marrë mbi 180 milionë euro në tenderë. Ai thotë se Pucko Petrol ka pasur statusin e një ‘arushe të bardhë’ për 30 vjet, ku sipas tij i ishte lejuar që përmes tenderëve të importonte gjithçka dëshironte dhe si dëshironte. /SHENJA/