LSDM përshëndeti veprimin e KSHPK-së për rastin me tenderët në Ministrinë e Transformimit Digjital

LSDM përshëndeti veprimin e KSHPK-së për rastin me tenderët në Ministrinë e Transformimit Digjital

LSDM-ja sot e përshëndeti veprimin e shpejtë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), me të cilin, siç thonë ata, ka formuar lëndë për rastin me ndeshjen e interesave, nepotizëm dhe korrupsion lidhur me tenderët e fituar nga bashkëshorti i sekretares shtetërore në Ministrinë e Transformimit Digjital.

“Është më se e qartë se ministri Stefan Andonovski është i përfshirë dhe përgjegjës kryesor për këtë rast. Hapi i KSHPK-së është në drejtimin e duhur, por tani është radha e Prokurorisë Publike – drejtësia duhet të vendoset”, thuhet në kumtesë.

Nga LSDM thonë se faktet janë kristal të qarta, sepse kompania e bashkëshortit të Klinçarovës ka fituar dy tenderë, ndërsa ministri Andonovski fillimisht ka tentuar ta fshehë e më pas ta arsyetojë këtë situatë skandaloze me arsyetime absurde.

Ky, siç thekson LSDM-ja, nuk është vetëm konflikt interesi, por rast i qartë i korrupsionit.

LSDM njofton se gjatë ditës do të prezantojnë dëshmi shtesë që do t’i ndihmojnë KSHPK-së, por edhe të gjitha institucioneve kompetente, në zbardhjen e plotë të këtij rasti.

“Nuk ka vend për një përfundim tjetër – duhet të vijojë aktakuza. Rrjetet e tenderëve të VMRO-DPMNE-së duhet të ekspozohen dhe përgjegjësit të sanksionohen. LSDM nuk do të lejojë që kjo aferë të mbulohet – çdo aktor i këtij rrjeti kriminal duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit! Presim veprime të menjëhershme nga Prokuroria”, thonë nga LSDM.

MARKETING