Anulohet seanca e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini – Bejxhan Iljas nuk do të marrë pjesë në asnjë aktivitet parlamentar, njofton Kabineti i Gashit

Është shtyrë seanca e sotme e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini ku duhej të shqyrtohej Propozim- ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor në procedurë të shkurtuar.
Pas dorëheqjes së kryetares së këtij komisioni Ilire Dautit nga Fronti Europian. Një nga opsionet ishte që kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, të emërojë një deputet i cili do ta kryejë këtë funksion deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij trupi parlamentar. Nga Kuvendi thonë se Gashi caktoi deputetin Bejxhan Iljas si kryesues, por që paraprakisht, Fronti Europian ka njoftuar që ai do të mungojë në të gjitha aktivitetet në Kuvend.
“Sot në Kabinetin e kryetarit ka arritur letër nga koordinatori i Frontit Europian, ku thuhet se deputeti Bejxhan Iljas do të mungojë në të gjitha aktivitetet në Kuvend. Komisioni për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, i cili ishte paraparë të mbahet sot në ora 11:30, është shtyrë”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.