Mickoski: Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet ta dëgjojë zërin e qytetarëve për shkarkimin e Kocevskit

Kryeministri Hristian Mickoski pret që Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë (KPPRM) ta dëgjojë zërin e qytetarëve lidhur me shkarkimin e prokurorit shtetëror publik, Lupço Kocevski.
Në pyetjen nëse KPPRM jep mendim negativ për shkarkimin e Kocevskit do të llogaritet shkarkim politik dhe për cilat arsye kërkohet shkarkim, kryeministri u përgjigj se arsyet do të sqarohen në Kuvend.
“Të gjitha arsyet do t’i shpjegojmë kur procedura të jetë në Kuvend. Nuk do të supozoja se cili do të ishte mendimi i KPPRM, duke pasur parasysh se qytetarët kanë pasur historikisht besimin më të ulët në sistemin e drejtësisë dhe nuk pres që KPPRM të jetë rob i disa qendrave të pushtetit dhe të mos dëgjojë zërin e qytetarëve. Nëse qytetarët thonë se besimi në sistemin e drejtësisë është dy për qind, atëherë pres që po ata që paguhen me para nga qytetarët, të dëgjojnë zërin e tyre dhe të marrin një vendim që e presin qytetarët. Në të kundërtën, parlamenti do të duhet të diskutojë dhe të debatojë dhe pastaj do të dëgjoni të gjitha argumentet”, tha kryeministri në një deklaratë për mediat pas konferencës së sotme për media me përfaqësuesin e Grupacionit Kazançi Hollding, i cili po shpreh interesim për një investim në sektorin e energjisë prej një miliardë eurosh.
Lidhur me përgjegjësinë e mundshme penale të Kocevskit për dhënien e informacioneve nga procedurat gjyqësore, siç ishte bërë e ditur në propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, Mickoski tha se duhet t’i referohen Kushtetutës që të konstatohet çfarëdo lloj përgjegjësie penale.
“Këtu duhet t’i referohemi Kushtetutës dhe që të konstatojmë ndonjë përgjegjësi penale do të duhet të lexojmë saktë Kushtetutën dhe më pas të nxjerrim përfundime. Por, është fakt se qytetarët kanë besimin më të ulët në sistemin e drejtësisë dhe si të tillë ne duhet ta gjejmë atë. Ne nuk mund të flasim me metafora, ose të flasim në mënyrë difuze, duhet të gjejmë qartë përgjegjësinë përse është kështu. Nëse njerëzit e lartë nuk kanë përgjegjësi, nuk e di se kush duhet të ketë” tha Mickoski.
Qeveria në seancën e sotme ka miratuar propozimin për shkarkimin e prokurorit publik Lupço Kocevski. Pas përfundimit të procedurave qeveritare, propozimi do t’i dërgohet Këshillit të Prokurorëve Publikë, nga ku, në përputhje me afatet ligjore, Këshilli duhet të dërgojë mendim brenda 15 ditëve. Nëse Këshilli, për shkaqe të arsyeshme, nuk i paraqet mendim Qeverisë brenda afatit të caktuar, afati zgjatet edhe për 15 ditë. Nëse Këshilli nuk jep mendim brenda këtij afati, konsiderohet se nuk e mbështet propozimin e Qeverisë. Pas marrjes së mendimit nga KPPRM, Qeveria ia paraqet propozimin për shkarkim Parlamentit, i cili merr vendimin përfundimtar.