Talat Xhaferi është zgjedhur shef i Shtabit Politik të BDI-së

Talat Xhaferi është emëruar shef i Shtabit Politik të Bashkimit Demokratik për Integrim, njofton partia përmes një komunikate për media. Gjatë një takimi të zhvilluar, u diskutuan sfidat dhe zhvillimet politike aktuale, duke u theksuar nevoja për ruajtjen dhe përmirësimin e arritjeve të shqiptarëve që janë siguruar gjatë dekadave të fundit.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se partia do të vazhdojë të mbrojë me çdo kusht këto arritje, duke nënvizuar se asnjë grupacion politik nuk do të lejohet të cënojë të drejtat dhe interesat e shqiptarëve. Ai gjithashtu siguroi se BDI do të përdorë çdo mekanizëm demokratik në dispozicion për të parandaluar çdo përpjekje për të minuar elementet kyçe të Marrëveshjes së Ohrit, e cila mbetet një shtyllë e rëndësishme për stabilitetin dhe barazinë në Maqedoninë e Veriut.
BDI ka përsëritur angazhimin e saj për ruajtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, duke u përpjekur për një të ardhme më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit.