MMJPH: Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor kthehet në Ministrinë amë

MMJPH: Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor kthehet në Ministrinë amë

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) njoftoi se, pas ndryshimeve të fundit të bëra në Ligjin ekzistues për mbikëqyrjen inspektuese në dhjetor të vitit 2024 dhe janar të vitit 2025, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor (ISHMJ), së bashku me 14 inspektoratet e tjera shtetërore, do të vazhdojnë të funksionojnë si organe të integruara brenda ministrisë amë.

MARKETING

Sipas Ministrisë, ky ndryshim do të mundësojë që MMJPH, nëpërmjet një marrëveshjeje, të merr përsipër menaxhimin e punonjësve, të drejtat dhe detyrimet e kontratave inspektuese, si dhe të administratës dhe mjetet për punë. Sidoqoftë, ISHMJ do të vazhdojë të punojë pa statusin e personit juridik dhe buxhetin nga linja e parë. Buxheti do të administrohet si një Nënprogram i veçantë brenda Ministrisë, ndërsa inspektorët do të mbajnë autonomi në zhvillimin e procedurave inspektuese.

Për qëllimin kryesor të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, mbikëqyrja do të përqendrohet në aktet administrative të lëshuara nga MMJPH dhe zbatimin e kushteve të përcaktuara në lejet e integruara ekologjike dhe elaboratet përkatëse. Ky proces synon përmirësimin e koordinimit dhe forcimin e politikave për përballimin e ndotjes së mjedisit dhe mbeturinave.

Për të përmbushur kërkesat e inspektimeve në nivel shtetëror, është vlerësuar se nevojiten rreth 40 inspektorë shtetërorë. Ministria gjithashtu ka përmendur që planet e punësimit dhe avancimit të inspektorëve do të harmonizohen me politikat e saj të përgjithshme. Aktualisht, Inspektorati Shtetëror nuk ka miratuar punësime dhe avancime të reja, por është pritur një përgjigje pozitive nga Ministria e Financave për rritjen e numrit të inspektorëve.

Nga ana tjetër, në nivel lokal, ende më shumë se 50% e komunave nuk kanë emëruar inspektorë të autorizuar për mjedisin, edhe pse kjo ka qenë një detyrim ligjor që duhej të përmbushej deri në fund të vitit 2022. Gjithashtu, në kuadër të “Programit të Qeverisë 2024-2028”, është planifikuar formimi i një trupi inspektues të vetëm qendror, i cili do të ketë përgjegjësi për trajtimin e ndotjes dhe mbeturinave në të gjitha nivelet administrative.

MARKETING