Defekt në trafostacionin në Tetovë, pa energji elektrike rreth 5.000 shfrytëzues

Një pjesë e madhe e Tetovës është pa energji elektrike që prej orës 9 të mëngjesit për shkak të një defekti në trafostacion. Sipas kompanisë së Elektrodistribucionit rreth 5.000 shfrytëzues janë pa furnizim të energjisë elektrike, ndërsa në terren po punohet për riparimin e defektit.
“Sot rreth orës 9 ka ndodhur një defekt i madh në trafostacionin 110 kV ‘Tetovë 1’ dhe si pasojë një pjesë e madhe e zonës së qytetit ka mbetur pa furnizim me energji elektrike. Për 10 minuta është rikthyer furnizimi për pjesën më të madhe të shfrytëzuesve, ndërsa pa furnizim janë rreth 5.000 shfrytëzues”, informojnë nga kompania e Elektrodistribucionit pranë EVN Maqedoni e cila menaxhon rrjetin e shpërndarjes.
Defekti i trafostacionit në shtator të vitit 2024 la për 30 orë një pjesë të Tetovës pa energji elektrike.