(VIDEO) Mickoski: Në vend të Ballkanit në Evropë, “ballkanizmi” u pranua në BE

Në vend që ta sjellim Evropën drejt Ballkanit, ne sollëm Ballkanin në Evropë. Кështu ka komentuar kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë një panel diskutimi për politikë të jashtë në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku u fol edhe për qasjen e Ballkanit drejt BE-së. Ai ka kritikuar ndërkombëtarët se po zbatojnë standarde të dyfishta sa i përket Maqedonisë së Veriut, përkatësisht kushteve që po i kërkohen që të zbatojnë në mënyrë që të ketë përparim në rrugën eurointegruese, duke thënë se, Evropa po lejon ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se ndryshimi i emrit nuk është shembulli i vetëm i ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti sovran. Ai tha se, fatkeqësisht, ka shtete anëtare të BE-së që vijnë nga Ballkani që kanë sjellë mosmarrëveshje bilaterale me ta në Bruksel, në vend që të sjellin vlerat e Brukselit në Ballkan.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I RMV-SË
“Dëgjoj disa komente këtu se ka pasur një fjalim gjatë ditës së parë nga zëvendëspresidenti amerikan Vance dhe se ai fjalim nënkuptonte ndërhyrje të mëdha në punët e brendshme. Ndryshimi i emrit, ndryshimi i flamurit, ndryshimi i monedhës, cilat janë ato? Ata nuk ndërhyjnë në punët e brendshme. Sa kohë duhet të vuajmë nga standardet e dyfishta? Këtu nuk po flasim për një proces të bazuar në merita, po flasim për mosmarrëveshje bilateraleqë nuk duhet të kenë asnjë lidhje me vlerat evropiane”.
Ai tha se, vendi ka plotësuar të gjitha kërkesat për të harmonizuar politikën e jashtme dhe të atë të mbrojtjes me BE-në.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I RMV-SË
“Duhet ta theksoj këtë çështje, kur Rusia sulmon dhe mohon identitetin ukrainas, për të cilin foli dje presidenti Zelensky, të gjithë jemi të zëshëm, kritikojmë, luftojmë për të drejtat e popullit ukrainas dhe kundër këtij agresioni të paprecedentë, por kur parlamenti i një shteti anëtar të BE-së sulmon dhe mohon identitetin maqedonas dhe gjuhën time amtare maqedonase, atëherë të gjithë heshtin”.
Ai më tej ka shtuar se, Evropa nuk do të jetë e unifikuar pa të gjitha vendet evropiane dhe se ky proces do të zgjasë derisa të gjithë vendet aspirante të bëhen pjesë e tavolinës së përbashkët me vendet e tjera anëtare të BE-së.
Teuta Buçi /SHENJA/