(VIDEO) Vendimi për kufizimin e marzhës javën e ardhshme

Marzha e produkteve bazë mbetet e pandryshueshme, të paktën deri në javën tjetër. Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durimishi, drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vllatko Stojkoski dhe përfaqësuesit e Komisionit të Mbrojtjes së Konkurrencës kanë realizuar sot një takim me përfaqësuesit e zinxhirëve tregtar dhe shpërndarësëve më të mëdhenjë në vend. Megjithatë, gjatë këtij takimi, palët nuk kanë sjellë vendim përfundimtar.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës
“Në takim u bisedua për propozim vendimi e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për kufizimin e marzhës së fitimit bruto në 10% në tregtinë me shumicë dhe 10% në tregtinë me pakicë të një pjese të produkteve bazë ushqimore dhe mjeteve higjienike. Tregtarët dhe shpërndarësit dhanë propozimet dhe vërejtjet e tyre të cilat do t’i analizojë në mënyrë shtesë Ministria e Ekonomisë dhe Punës. Në takim u dakordua që vendimi përfundimtar të sjellet gjatë javës së ardhshme”.
Paraprakisht, Ministria e Ekonomisë i dorëzoi qeverisë propozim vendim për kufizim të marzhës në 10% për produktet bazë ushqimore dhe mjeteve higjienike. Pavarësisht paralajmërimeve se, Qeveria të enjten do të shqyrtojë në seancë urgjente dhe do të sjellë vendim për këtë propozim, dje nuk ndodhi një gjë e tillë. Nga qeveria nuk kanë njoftuar nëse seanca nuk ishte caktuar fare, apo u anulua pas reagimit të Odës Ekononime të tregtarëve me pakicë dhe shumicë. Por, sipas opozitës maqedonase, kryeministri i është nënshtruar presionit të tregtarëve dhe kjo është arsyeja e vërtetë se pse qeveria nuk solli këtë vendim të enjten.
Metodija Ilievski, Nënkryetar i LSDM-së
“Kërcënimet nga tregtarët për largimin e 5.000 punonjësve, janë pasojë direkte e paaftësisë së Qeverisë së VMRO – DPMNE-së që të udhëheqë politikë ekonomike e cila do t’i mbrojë qytetarët, por edhe do të sigurojë stabilitet për punëtorët dhe kompanitë. Kështu është kur Mickoski në vend që të jetë lider, e luan vëzhguesin në shtetin që e udhëheqë”.
Takimi i ministrit të ekonomisë me përfaqësuesit e marketeve dhe shpërndarësve, vjen pas reagimit të djeshëm të Odës Ekonomike të Tregtarëve me Shumicë dhe Pakicë. Nga kjo odë, kërkuan takim urgjent me Qeverinë lidhur me vendimin për kufizimin e marzheve. Nga Oda thanë se, vendimi që përcakton kufirin e marzhit prej 10 për qind do të vërë në pikëpyetje mbijetesën e tregtarëve me pakicë dhe ata do të detyrohen të pushojnë nga puna dhe të mbyllin dyqanet. Dëmet, sipas Odës, do të jenë të mëdha, pasi rrezikohet mbijetesa e 86 kompanive tregtare me 790 dyqane dhe 4700 punonjës.
Teuta Buçi /SHENJA/