Makina përplaset me turmën në Mynih, të paktën 28 të plagosur

Të paktën 28 persona janë plagosur pasi një makinë u përplas me një turme njerëzish në qytetin jugor gjerman Mynih, transmeton Anadolu.
Ministri i Punëve të Brendshe i shtetit të Bavarisë, Joachim Herrmann, njoftoi se policia ka arrestuar shoferin 24-vjeçar, shtetas afgan, menjëherë pas incidentit.
“Bazuar në informacionet e deritanishme, autori ishte i njohur nga autoritetet për vepra të mëparshme për me drogë dhe vjedhje dyqanesh. Hetimi është në vazhdim”, tha Herrmann.
Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit ku anëtarët e një sindikate ishin tubuar për një demonstratë. Dëshmitarët thanë se panë njerëz që “qanin dhe dridheshin” pasi makina u përplas në turmën e njerëzve.
Koha e incidentit rriti shqetësimet e sigurisë, pasi Mynihu përgatitet për pritjen e liderëve botëror dhe ministrave nga më shumë se 60 vende në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Mynihut që do të nisë nesër.
Vendi i incidentit ndodhet vetëm 1,5 kilometra nga hoteli historik ‘Bayerischer Hof’, vendtakimi tradicional i konferencës së nesërme.
Organizatorët e Konferencës së Sigurisë së Mynihut shprehën trishtim të thellë në mediat sociale lidhur me incidentin.
“Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Shërbimet e urgjencës janë në vendngjarje dhe po zhvillohet një hetim për të përcaktuar shkakun e këtij incidenti”, thanë organizatorët, duke u kërkuar të gjithëve të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.