(VIDEO) Faturat e larta të energjisë elektrike përplasin LSDM-në dhe VMRO-në

Faturat e larta të energjisë elektrike në kurriz të qytetarëve, përplasin partitë më të mëdha maqedonase VMRO-LSDM. Ata gjejnë rastin ta akuzojnë njëra tjetrën se qeverisja e kujt është më fajtore për këtë gjendje.
LSDM thotë se me heqjen e subvencionimit të rrymës, VMRO DPMNE e ka goditur rëndë buxhetin e qytetarëve. Zëdhënësja e partisë Bogdanka Kuzeska, kërkon nga Qeveria që të sjellë vendim urgjent për heqjen ose uljen e TVSH-së për energji elektrike dhe termike, si dhe të ju ndihmoj qytetarëve të tejkalojnë këtë periudhë të vështirë.
Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së
“Jemi përballur me fatura që arrijnë nga 8 000, 10.000, 15.000 deanrë. Një pjesë e qytetarëve kërkojnë mënyrë se si t’i paguajnë, të tjerët kërkojnë korrigjim të faturave. Kjo është vetëm një pjesë e një sërë vendimesh të gabuara të DPMNE-së, me të cilat për 8 muaj kanë ulur standardin e qytetarëve”.
E nga VMRO-DPMNE akuzojnë se krizën më të madhe energjetike, e ka krijuar LSDM.
VMRO-DPMNE
“LSDM nuk ka të drejtë të flas për energjetikë kur në kohën e LSD-së, kompani të themeluara nga Dimitar Kovaçevski dhe lidhjet e tij familjare, kanë bërë shuma milionëshe në sektorin e biznesit energjetik. Në lidhje me faturat e larta të rrymës, Komisioni Rregullator ju ka bërë thirrje të gjitha amviserive, që kanë marrë fatura më të larta të rrymës, të paraqesin aneksë në EVN, për korrigjim”.
VMRO-DPMNE thotë se po punojnë përmes një sërë masash dhe projektesh që vendi të ketë sektor energjetik stabil.
Emine Ismaili /SHENJA/