Amorim e pranon se pozita e tij është në rrezik
Trajneri Ruben Amorim e pranon se puna e tij është në rrezik pas vendimit të Manchester United për të mos nënshkruar me asnjë sulmues gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Man United aktualisht ndodhet në vendin e 13-të dhe ka humbur pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi.
Amorim e pranon se këmbëngulja për të ndjekur sistemin e tij pa përforcime në sulm ishte një rrezik.
Ai mendon se rezultatet e dobëta kanë rritur presionin mbi pozicionin e tij para ndeshjes së FA Cup kundër Leicesterit.
“E dija që kur zgjodha këtë profesion, ekziston rreziku i rezultateve”, tha Amorim.
“E dija kur erdha këtu, pashë kalendarin, pashë ekipin dhe e kuptova që vendimi im për të ndryshuar gjithçka në mes të sezonit, pa afrime të reja, ishte një rrezik për një trajner”.
“Por që nga dita e parë, me rezultate të mira ose të këqija, kam pasur një ide të qartë se çfarë dua të bëj dhe marr këto rreziqe sepse, në fund, besoj se do të japin rezultat. Por nuk jam naiv, e kam thënë shumë herë. Ky është një sport i rezultateve dhe ne jemi në një situatë të vështirë. Bordi tashmë e dinte dhe u shpjegova të gjitha rreziqet”.
“Por e kuptoj që në këtë moment, me kaq shumë humbje, veçanërisht në shtëpi, mjedisi është shumë i vështirë. Po marrim disa rreziqe, por kjo është mënyra se si duam të ecim përpara. Është e vështirë të kthehet situata brenda pak ndeshjeve”, theksoi Amorim.