(VIDEO) Skandaloze, falen organizatorët e 27 prillit

(VIDEO) Skandaloze, falen organizatorët e 27 prillit

Trajko Veljanovski, Spiro Ristevski, Mile Janakieski, ish funksionarë të VMRO-DPMNE-së dhe Vladimir Atanasovski ish drejtor i shërbimeve të sigurisë nuk janë më organizatorët e ngjarjeve të dhunshme në Kuvend. Ata u liruan dhe u amnistuan. Për ta ndërprehet përndjekja penale. Por, as gjykatësi i lëndës dukej se nuk ishte i kënaqur nga vendimi që do të jepte. Kryetari i trupit gjykues Ilija Tërpkov tha se ata vazhdojnë të jenë të qëndrimit se organizatorët e këtij rasti nuk duhet të falen, por për të sjellë këtë vendim janë të shtyrë nga Ligji për Amnisti.

ILIJA TËRPKOV, GJYKATËS

Personalisht dhe si trup gjyqsor ende jemi në qëndrimin se synimi i ligjvënësit ishte që në asnjë rast organizatorët e ’27 prillit’ të mos amnistohen. Por, në Ligjin për Amnisti, në dispozitat e nenit 1, paragrafi 3 është një akt sipas të cilit Gjykata e Apelit dhe Prokuroria Publike, vlerësojnë se të akuzuarit Trajko Veljanovski, Spiro Ristevski, Mile Janakieski, nuk janë persona që kanë vepruar në kudërshtim me autorizimet e tyre zyrtare”.

Ai thotë se në këtë rast del që, personat që kanë hyrë në Kuvend janë vetëorganizuar, por shton se në fakt nuk është kështu. Ata persona sipas tij, janë përdorur dhe manipuluar nga dikush për qëllime politike.

Ilija Tërpkov, gjykatës

Në fund do të dalë që personat e dënuar për ‘Ngjarjet e 27 Prillit 2017’ vetë janë organizuar dhe vetë e kanë menduar se duhet të hyjnë në Kuvend, të thyejnë dhe të rrahin.Të gjithë e kemi të qartë, personat e dënuar që janë në burgje, se kjo nuk është kështu, se dikush i ka organizuar që të hyjnë në Kuvend. Në të kundërtën kjo nuk mund të kishte ndodhur”.

Ai pranon se ligjet nuk vlejnë për të gjithë njësoj. Ndërsa për ata të cilët i quanin patriotë personat e maskuar dhe të dhunshëm në Kuvend, gjykatësi Ilija Tërpkov, e thotë shkurtë: “Ata vetëm patriotë nuk mund të jenë”.

Ilija Tërpkov, gjykatës

Opinioni e ka të qartë se kujt i ndihmohet me ligjet dhe se si ato interpretohen. Sigurisht nuk interpetohen për ato të dënuar për ngjarjet në Kuvend që gjenden në burg. Dikush këta të dënuar po i quan patriotë. Kuvendi është shtëpi e të gjithë qytetarëve të RMV-së. T’i thuash dikujt që je patriot, të hyj në shtëpinë e tij, të thyej, dhe ta dhunoj familjen, është jashtë çdo të drejte”.

Avokati i personave që u liruan, thotë se tani, përgjegjësia duhet të kërkohet te LSDM dhe BDI, që atëkohë udhëheqnin me Ministrinë e Brendshme.

Jordan Apostollski, avokat

Që nga fillimi kemi thënë se bëhet fjalë për një proces të montuar politik, me qëllimin e vetëm që të ikin nga përgjegjsia fajtorët e vërtetë. Sipas nesh dhe sipas provave, mund të vërtetëohet se në atë kohë, në ato ngjarje, Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka kryer detyrën e saj. Atë kohë ministria udhëheqej nga Oliver Spasovski dhe zëvendës ministri ishte nga BDI”.

Në gjykimin e parë për këtë rast në vitin 2021, për këta katër të akuzuar u shqiptuan gjithësej 25 vite burg. Mirëpo, Gjykata e Apelit, vitin e kaluar, e anuloi vendimin e shkallës së parë dhe e ktheu rastin në rigjykim. Trajko Veljanovski, Spiro Ristevski, Mile Janakieski, Vladimir Atanasovski akuzoheshin se kanë organizuar hyrjen e papenguar të turmave në shtëpinë ligjvënëse, përfshirë edhe organizata patriotike dhe kishin angazhuar njerëz për të kryer dhunë. Pretendimet e gjykatës ishin se në selinë e VMRO-DPMNE-së, Janakieski dhe Ristovski vazhdimisht kanë mobilizuar anëtarët e partisë nga Shkupi dhe qytete të tjera, me qëllim që në një moment të bëjnë një sulm të dhunshëm të Kuvendit.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING