(VIDEO) Shkupi i pari në Evropë dhe i pesti në botë për ajër të ndotur

(VIDEO) Shkupi i pari në Evropë dhe i pesti në botë për ajër të ndotur

Shkupi kryeson listat evropiane dhe botërore, por jo për të mirë. Këtë të hënë kryeqyteti u gjet i pari në listën e vendeve evropiane për ajrin më të ndotur, ndërsa i pesti u rendit në listën botërore, për të njejtën arsye. Sipas të dhënave të platformës për matjen e ndotjes së ajrit “I-Q Air”, me indeks 165, ajri në Shkup ka hyrë në kategorinë e “ajrit të pashëndetshëm”, i shënuar me të kuqe. Ajër më i ndotur mëngjesin e së hënës u regjistrua në Lisiçe, pastaj në Gazi Babë.

Qyteti tjetër evropian me ndotjen më të madhe të ajrit ishte Prishtina, ku cilësia e ajrit gjithashtu vlerësohet si e pashëndetshme, me indeks të ndotjes prej 158. Prishtina u rendit e 13-ta për nga ndotja në botë.

Shkupi është rregullisht ndër kampionët botërorë dhe evropianë për sa i përket ndotjes së ajrit këtë dimër, sipas IQ Air. Periudhën e kaluar pothuajse çdo ditë Shkupi gjendet në dhjetëshen e parë të qytetave më të ndotura në botë. Të premten u rendit në vendin e parë me indeks të ndotjes 263, ndërsa grimcat PM 2.5 dhe sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për cilësinë e ajrit ishte 37.7 herë më i lartë se vlera vjetore.

Në dhjetor, në kryeqytet u mbajtën dy protesta kundër ndotjes së ajrit. Qytetarët kërkuan qasje urgjente, sistematike ndaj ndotjes së ajrit, përmes zbatimit të masave efikase që do të mbrojnë shëndetin e qytetarëve. Sipas raportit të UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.

Por, edhe sipas raportit të vitit 2023 të Institutit për Shëndet Publik të vendit, pothuajse 18 për qind e mortalitetit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING