(VIDEO) Mickoski: Prokuroria të hetojë deklaratën e Ahmetit për vendndodhjen e Grubit

(VIDEO) Mickoski: Prokuroria të hetojë deklaratën e Ahmetit për vendndodhjen e Grubit

“Artan Grubi është mirë dhe ndodhet dikund në hapësirat shqiptare” – ka qenë kjo deklarate e djeshme e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti e cila nxiti reagime të shumta në skenën politike në vend. Qeveria kërkon që prokuroria të marrë në pyetje Ahmetin në lidhje me këtë. Kryeministri, Hristijan Mickoski, rikujtoi se, Grubi ndodhet në listën e zezë amerikane dhe porositi se, mënyra më e lehtë për të vërtetuar nëse dikush është fajtor apo jo është të vijë dhe të përballet me drejtësinë.

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së

Shpresoj që kjo të arrijë në prokurori dhe të ketë një procedurë ligjore në të cilën nëse kemi një person që e di se ku është një i arratisur nga ligji, se do ta thërrasin atë person dhe ata do t’i përgjigjen pyetjes se ku është i arratisuri nga drejtësia. Të njëjtët pa të cilët nuk mund të kalonte kualifikimi përmes Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, tani thonë se dikujt iu mohua drejtësia dhe se kjo ishte përndjekje politike. Më lejoni t’ju kujtoj – i arratisuri i përmendur është në listën e sanksioneve amerikane dhe aty thonë publikisht se ky person së bashku me njëri-tjetrin janë të lidhur me skandale të mëdha korrupsioni. Supozoj se nuk do ta akuzojnë Departamentin e Shtetit për përndjekje politik”.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai duke komentuar deklaratën e Ahmetit, tha se, prokuroria ka obligim ligjor ta thërras në pyetje Ahmetin.

Arben Fetai, Zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë

Ali Ahmeti deklaroi se ka njohuri për vendndodhjen e Artan Grubit, për të cilin ka një fletarrest ndërkombëtar. Prokuroria publike, në bazë të kësaj deklarate publike, ka për obligim ligjor ta thërrasë në pyetje z. Ali Ahmeti për ta pyetur se ku ndodhet personi që ndiqet nga drejtësia e vendit”.

Ahmeti të dielen në një prononcim për media, deklaroi se vendndodhja e Grubit është në hapësirat shqiptare dhe se shumë shpejtë do të paraqitet tek organet e drejtësisë. Por, për tu paraqitur tek organet e drejtësisë, Aliu ka thënë se drejtësia nuk duhet të jetë hakmarrëse dhe selektive

Kujtojmë se, Prokuroria Themelore Shkup ka formuar lëndë për ish zëvendëskryeministrin Artan Grubi në lidhje me akuzat e DASH-it për përfshirje në korrupsion të profilit të lartë, për të cilat edhe e shpallën person të padëshiruar në SHBA. Po ashut, Grubi është edhe ndër dy të dyshuarit kryesor në lëndën për keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore. Megjithatë, ai u largua nga vendi para nisjes së këtij hetimi dhe tash më dy javë, është i pakapshëm për organet e drejtësisë në vend dhe MPB ka shpallur flet – arrest ndërkombëtar.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING