Rama: TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë, do të mbyllet për një vit

Rama: TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë, do të mbyllet për një vit

Kryeministri Edi Rama këtë të shtunë një në takim me prindërit dhe mësuesit ka folur për Planin e ri të masave për sigurinë në shkolla.

Rama para të pranishmëve tha se tashmë është bërë një plan masash konkrete për bllokimin e Tik Tok.

Ai njoftoi se Tik Tok do të mbyllet për një vit, ndërkaq për ta mundësuar këtë do t’iu duhen duhen 6 deri në 8 javë.

“…Ne kemi bërë të gjitha hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6 deri në 8 javë duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht, për të gjithë. Tik Tok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Pastaj gjatë vitit do të shikojmë si do të veprojnë vendet tjera… si do të reagojë vetë TikTok”, tha Rama.

Sipas tij, tragjedia u bë shkak që të vihej në lëvizje një shoqëri e tërë.

“U bë shkak një tragjedi që të vihej në lëvizje një shoqëri e tërë. Si gjithnjë qasja ndaj një ngjarje ka zgjedhje të ndryshme. Si gjithnjë qasja ndaj një ngjarje, ka një farsë dhe një marrje përgjegjësie. Si gjithmonë farsa nuk mungoi me gjithë forcën destruktive që rivret të vrarët e riplagos të plagosurit.

E them këtë sepse është shumë e rëndësishme që të kuptohet mirë që institucionet, shteti, janë struktura në përmirësim dhe vetëkorrigjim të vazhdueshëm. Nuk ka në asnjë vend që të mos ketë asnjë problem. Çka ka dalë më së miri në të gjithë këtë proces është se në përjetimin, në kuptimin dhe perceptimin e një ngjarje ka dy Shqipëri, një në parlament dhe në media, e një në popullsinë e cila preket drejtpërdrejtë.

Ne kemi ndërtuar si nxitje të këtij këshillimi problemet e Tik Tok, por ajo që kemi marrë nga prindërit është pyetja se si do i bëhet me gjithë këtë dhunë, me gjithë këtë ç’edukim masiv nga mediat që shkojnë në drejtim të kundërt me atë që ne duam për fëmijët tanë. I them këto për të pasur të qartë se nuk mund të parandalohen ngjarjet që fatkeqësisht ndodhin.

Ajo që i dallon qasjet është reagimi ndaj tyre. Unë sot ndihem i lehtësuar se në një periudhë të shkurtër pas një diskutimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës me gjithë faktorët që janë të lidhur me këtë sferë të edukimit të fëmijëve tanë, kemi një produkt konkret me masa konkrete, dhe kemi sigurinë se duke zbatuar këtë plan do të kemi një sistem arsimor akoma më të mirë e më të sigurt.

Kjo është ajo që ne kemi për detyrë. Dua të shpreh publikisht këtu edhe si përgjigje për ata që deshën të nxjerrin përfitime absurde nga tragjedia e një familje e humbja e një jete, duke ngritur gishtin e duke kërkuar përgjegjësi personale nga ministrja e Arsimit. Ministrja e Arsimit ka gjithë mbështetjen time dhe ashtu sikurse përmirësoi shërbimin shëndetësor, do të përmirësojë edhe sistemin arsimor”, tha ndër të tjera Rama. /Telegrafi/

MARKETING