Presidentja Siljanovska -Davkova takohet me nënkryetarin e TIKA, Dr. Mahmut Çevik

Presidentja Siljanovska -Davkova takohet me nënkryetarin e TIKA, Dr. Mahmut Çevik

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, priti sot në takim nënkryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Dr. Mahmut Çevik. Presidentja Siljanovska-Davkova shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen shumëvjeçare dhe projektet e realizuara nga TİKA, duke theksuar gjithashtu kontributin personal të nënkryetarit Çevik në këtë proces.

Presidentja e vendit, Davkova, theksoi se Turqia ka qenë një mik dhe aleat i besueshëm për Maqedoninë e Veriut që nga ditët e para të pavarësisë së saj, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e dhënë në çdo fushë. Ajo shtoi se marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis dy vendeve janë shtrirë në të gjitha fushat.

Ndër projektet kryesore të TİKA-s u përmendën: rinovimi i shkollave në vend, realizimi i programeve të trajnimit për personelin shëndetësor, pajisja e shumë klinikave dhe spitaleve me pajisje moderne mjekësore, si dhe projektet që synojnë të rrisin pjesëmarrjen e grave dhe fëmijëve në jetën shoqërore.

Në takimin dypalësh Davkova-Çevik, gjithashtu u bisedua edhe për rëndësinë e zbatimit të teknikave moderne të bujqësisë dhe promovimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale. Presidentja e vendit, Davkova, gjithashtu theksoi kontributin e rëndësishëm të TIKA-s në shumë sfera, siç janë: dialogu shoqëror, organizimi i aktiviteteve kulturore dhe promovimi i dialogut ndërmjet grupeve të ndryshme etnike.

Presidentja Siljanovska-Davkova deklaroi se këto aktivitete përfaqësojnë një tregues konkret të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe se u diskutua edhe për projektet e ardhshme të TİKA-s, të cilat pritet të kenë një ndikim të rëndësishëm për vendin.

Në fund të takimit, Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova riafirmoi përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve dhe theksoi besimin e saj se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

MARKETING