(VIDEO) Joseph: Qeveria e re duhet të bëjë hapa konkret në luftën kundër korrupsionit

(VIDEO) Joseph: Qeveria e re duhet të bëjë hapa konkret në luftën kundër korrupsionit

Futja e ish zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe gjykatësit të Apelit Enver Bexheti në listën e zezë amerikane, mund të shihet si një hap pozitiv konstruktiv dhe i kuptueshëm. Kështu ka thënë gjatë një interviste për REL, eksperti amerikan për Ballkanin, Edward Joseph. Ai tha se është zhgënjyese që edhe pas kaq viteve të të ashtuquajturit tranzicion, shohim nevojën që SHBA të bëjë hapa të tillë, të cilët nga ana tjetër janë të domosdoshme dhe të duhura. I pyetur se si e vlerëson luftën kundër korrupsionit në vend, Joseph tha se, qeveria e re duhet të bëjë hapa konkret në luftën kundër korrupsionit në të gjitha fushta.

MARKETING

EDWARD JOSEPH, EKSPERT PËR BALLKANIN

“Keni një Qeveri relativisht të re. Ata kanë bërë disa lëvizje fillestare, por duhet të bëjnë më shumë. Duhet të theksoj se kam vërejtur reagimin e kryeministrit Mickoski, i cili reagoi dhe e mbështeti hapin e SHBA-së, dhe këtu përsëri shohim që kjo theksohet. E dëgjuam gjithashtu vërejtjen e ambasadores së SHBA-së Ageler, e cila tha se këto prova janë të disponueshme për të gjithë dhe se këto nuk janë prova të veçanta që i ka vetëm SHBA-ja. Pra, përgjigja në pyetjen tuaj është se nga Mickoski dhe nga Qeveria duhet të shohim lëvizje. Duhet të shohim lëvizje kundër korrupsionit nga sistemi gjyqësor – nga prokurorët dhe gjyqtarët – në të gjithë spektrin politik, në të gjithë spektrin etno-kombëtar dhe kjo të mos jetë selektive”.

I pyetur se cili është qëndrimi i tij për iniciativën për shqyrtimin e kushtetueshmërisë së ligjit të gjuhëve, Joseph tha se, ardhmëria e vetme që mund ta ruajë Republikën e Maqedonisë së Veriut si një shtet të pavarur dhe sovran dhe trashëgiminë e shqiptarëve dhe maqedonasve që jetojnë këtu, është përmes ruajtjes dhe respektimit të këtij shteti si një shtet unitar dhe sovran, dhe këtë e bën Marrëveshja e Ohrit.

EDWARD JOSEPH, EKSPERT PËR BALLKANIN

“Në të nuk ka ndarje territoriale, nuk ka kantore, nuk ka entitete… E shohim Bosnjen dhe Hercegovinën dhe themi se kjo është katastrofë. E shohim Kosovës dhe situatën në veri dhe refuzimin për të njohur – katastrofë. Maqedonia e Veriut nuk mund t’ia lejojë vetes të jetë edhe një tjetër, katastrofa e tretë në ballkan. Marrëveshja Kornizë e Ohrit është një marrëveshje e shkëlqyeshme dhe e drejtë dhe nëse keni mosmarrëveshje për të, bisedoni për to, konsultohuni me miqtë. Këtu janë SHBA-ja dhe BE-ja, konsultoni ata dhe bëni zgjidhje të drejta. Unë jam i sigurt se mund të bëhen”.

Duke folur për kontestin me Bullgarinë, i cili edhe ka bllokuar procesin e anëtarësimit të vendit, eksperti amerikan tha se pret që SHBA-ja të kyçet në mënyrë më aktive në zgjidhjen e këtij kontesti, duke shtuar se, vendet anëtare të BE-së në mënyrë individuale mund të japin garanca për këtë dhe të japin sinjale të përkushtimit të fortë se, kur të plotësosht ky kusht nuk do të tolerojnë sërish kushte të tjera.

Teuta Buçi /SHENJA/ 

 

MARKETING