Seit Kreka: Pozicioni në tabelë nuk është i drejtë, do të mbetemi në elitë

FC Voska Sport këtë sezon e nisi me ndryshime drastike, duke ndryshuar të gjithë ekipin nga sezoni i kaluar, ku me trajner të ri dhe futbollist të rinj e mbylli gjysmësezonin në Ligën e Parë me 12 pikë të grumbulluara.
Trajneri i ekipit shqiptar nga Ohri, Seit Kreka, ka folur për 18 xhirot e kaluara të këtij sezoni, ku mes tjerash ka thënë se pozicioni në tabelë nuk është aspak i drejtë nga ajo se çfarë paraqitje kanë pasur, megjithëse beson se do të arrijnë objektivin për të mbetur në mesin e më të mirëve të futbollit në vendin tonë.
“Sa i përket gjysmësezonit vjeshtor, mora përsipër të udhëheq këtë klub me plot përgjegjësi dhe ishte një skuadër komplet me futbollist të rinj. Me shumë punë dhe vështirësi bashkë me ndihmësit e mi u munduam ti japim stabilitet këtij ekipi të ri për të arritur deri te sukesesi. Pozicioni në tabelë është absolutisht i padrejtë për atë që kemi bërë deri më tani. Me disa përforcime, shumë punë dhe me pak fat, ne do të mundohemi të arrijmë objektivat dhe në fund të mbesim në elitën e futbollit të Maqedonisë”, është shprehur për faqen e klubit, trajneri i Voskës, Seit Kreka.