BDI: Sjellja e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese është e papranueshme dhe skandaloze, kërkojmë dorëheqje të menjëhershme

BDI: Sjellja e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese është e papranueshme dhe skandaloze, kërkojmë dorëheqje të menjëhershme

BDI në një komunikatë për media, thonë se dënojnë me forcë zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese, ku, sipas tyre, ndërhyrjet monoetnike në një shtet shumëetnik krijojnë një precedent të rrezikshëm.
“Vendimi për të vazhduar procesin e vlerësimit të kushtetutshmërisë, pavarësisht bojkotit nga gjykatësit e komuniteteve shqiptare dhe turke, është një tregues shqetësues i mungesës së respektit ndaj barazisë dhe harmonisë ndëretnike.
Megjithatë, reagimi i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në konferencën për shtyp shënon kulmin e papranueshmërisë. I pyetur nga një gazetar për mungesën e gjuhës shqipe në tabelën prapa tij, pavarësisht faktit se ligji mbi përdorimin e gjuhëve është në fuqi, Kryetari deklaroi se “e di që ligji është në fuqi, por mua nuk më pëlqen”. Një deklaratë e tillë është skandaloze dhe krejtësisht e papranueshme!”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Ata thonë se një person që hapur shpreh mospëlqim ndaj ligjeve në fuqi dhe që zbaton standarde të dyfishta në një pozitë kaq të rëndësishme si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të jetë i denjë për të vazhduar detyrën.
“Sjellja e tij minon jo vetëm besimin e qytetarëve në institucione, por edhe parimet themelore të demokracisë dhe barazisë ndëretnike. Për këto arsye, BDI bën thirrje për dorëheqjen e menjëhershme të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Zhvillime të tilla nuk duhet të tolerohen në asnjë rrethanë, dhe institucionet duhet të veprojnë për të garantuar respektimin e ligjit dhe vlerave të barazisë ndëretnike”, qëndron në komunikatën e BDI-së.

MARKETING