(VIDEO) VLEN: BDI ka mbajtur peng shqiptarët me kontrata në vepër
Me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet, tani më është bërë praktikë që të largohen nga puna disa shqiptarë nga institucione të ndryshme. Ndërkaq, rasti i fundit është largimi i 21 të punësuarve në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë. Për këtë kanë reagur sot nga koalicioni VLEN, të cilët fajsojnë BDI-në se ka mbajtur peng shqiptarët me kontrata në vepër. Sipas VLEN-it, BDI për 20 vjet pushtet ka përdorur shqiptaret për vota, me qellim kushtëzimit dhe votimit për partinë.
VLEN
“Kjo është një plagë e dhimbshme që BDI e ka lënë trashëgimi për gjithë shqiptarët. Kjo është plagë e manipulimit me bukën e gojës të shqiptarëve. BDI ka manipuluar me mbijetesën e shqiptarëve. I tillë ishte edhe rasti i fundit i 21 të punësuarve në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë, ku BDI në kundërshtim me ligjin i ka manipuluar këta shqiptarë duke iu dhënë kontrata në vepër pa pëlqimin e Ministrisë së Financave. Si drejtues, kemi për detyrë të sigurojmë ligjshmërinë dhe transparencën në menaxhimin e fondeve publike dhe të parandalojmë çdo parregullsi që mund të dëmtojë buxhetin publik. Ndërprerja e këtyre kontratave është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur buxhetin dhe për të përmbushur obligimet ligjore”.
Nga VLEN theksojnë se ata nuk do të luajnë me fatin e shqiptarëve duke i mbajtur peng, por sigurojnë se këtyre shqiptarëve që siç thonë, BDI i ka mbajtur peng, do t’ju sigurohet vend pune në përputhje me ligjin për marrëdhënie pune, duke shtuar VLEN është garanca për mirëqenie të shqiptarëve dhe për një jetë ndryshe.
Samir Mustafa /SHENJA/