(VIDEO) Kaosi urban, Mexhiti: Kemi siguruar 6 autobusë ekologjik
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti gjatë ditës së sotme përmes rrjetit social Facebook ka njoftuar se si Ministri e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe me donacion të Bashkimit Europian, kanë siguruar 6 autobusë ekologjik. Për këta të njejtit, Mexhiti bëri të ditur se brenda javës që vjen të njëjtit do t’ia dhurojnë Ndërmarrjes për Qarkullim Publik të Qytetit të Shkupit. Ai theksoi se si qeveri po shqyrtojnë edhe mundësinë e blerjes të 100-120 autobusëve elektrik.
Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër
“Gjithashtu si Qeveri e Maqedonisë së Veriut po shqyrtojmë mundësinë e blerjes së 100-120 autobusëve elektrikë, me qëllim të një zgjidhjeje të qëndrueshme të problemit të transportit publik, por edhe për të ndikuar drejtëpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ajrit të Qytetit të Shkupit”.
Për këtë Mexhiti sqaroi se parashihet që këta autobusë përveç NQP Shkup, t’ju shpërndahen edhe komunave të tjera ku ka transport publik urban të organizuar. Sipas tij qytetarët janë në rend të parë, andaj dhe theksoi që do të punojnë për mirëqënien e tyre.
Ndërkaq, edhe kryeministri Hristijan Mickoski, pajtohet lidhur me idenë e autobusëve ekologjik. Ai deklaroi se pret që deri në sezonin e ardhshëm veror apo vjeshtor në vend të ketë 100 deri në 120 autobusë të rinj elektrikë që do të funksionojnë në transportin publik urban në qytetet që kanë organizuar transport të tillë.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Aktualisht po skanojmë tregun dhe po analizojmë periudhën më të shpejtë që mund të mbërrijnë 100 deri në 120 autobusë, por në të njëjtën kohë mënyra e pagesës duhet të jetë me një periudhë mospagimi dhe me disa këste gjashtëmujore për të mos rënduar likuiditetin të Buxhetit. Pas kësaj do të transferohej në të gjitha komunat që kanë organizuar transportin publik të qytetit së bashku me infrastrukturën përcjellëse siç janë karikuesit për autobusët elektrikë për të cilët kemi llogaritur se do të na duhen rreth 50”.
Ai theksoi se shumica e autobusëve elektrikë do të jenë të destinuar për qytetin e Shkupit.
Për problemin me mungesën e naftës, për shkak të të cilit JSP Shkup ka reduktuar transportin për dy ditë, Mickoski shtoi se si Qeveria tashmë kanë bërë atë që duhet, duke dhënë 250 tonë naftë me kredi. Siç shtoi Mickoski, përmes Byrosë për Prokurim Publik është rënë dakord për kërkesën e Qytetit të Shkupit për furnizim urgjent të naftës përmes negociatave dhe se tani pret që të konsolidohen.
Anida Murati /SHENJA/