(VIDEO) Vauçerët për inverter qytetarët mund t’i marrin vetëm të enjten

(VIDEO) Vauçerët për inverter qytetarët mund t’i marrin vetëm të enjten

Ministria e Energjetikës do të shpërndajë vauçer për inverter vetëm nesër gjatë orarit të punës. Qytetarët të cilët kanë aplikuar për vauçerët duhet ta marrin nesër duke filluar nga ora 09:00 e mëngjesit deri në ora 17:00 dhe se kohë tjetër nuk ka. Vauçerët duhet të merren personalisht nga personi i cili ka aplikuar. Kjo do të thotë se personat të cilët janë në punë nesër nëse nuk mund të marrin të lirë për të marrë vauçerët që kanë aplikuar, atëherë vauçeri i tyre do të skadojë. Banorët e qytetit të Shkupit dhe nga komunat e rajonit të Shkupit, vauçerët duhet t’i marrin në qendrën e sportive “Boris Trajkovski”. Për qytetet e tjera do të shpërndahen në Qendrat e Punësimit.

Kur është shpallur thirrja para 10 muajve, në shkurt, nga Ministria e Ekonomisë theksuan se vauçerët do të dërgohen me postë për mos të krijuar turmë. Mirëpo, me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet, ky projekt u mor përsipër nga Minstria e re e Energjetikës dhe u vendosë që vauçerët të jepen brenda një dite.

Ministria e Energjetikës të martën pasdite në faqen e saj njoftoi se vauçerët do të jipen më 7 nëntor, të enjtën, mirëpo për këtë nuk ka pasur asnjë njoftim ose konferencë për media që qytetarët te informohen. Ndërsa vauçerët duhet të përdoren deri më 30 nëntor.

Përndryshe për këtë projekt janë siguruar 4.1 milionë euro ose ka para për rreth 6000 vauçerë. Thirrja ka pranuar gjithsej 18.805 kërkesa pas dy thirrjeve publike. Kërkesa për shpalljen që nuk është për konsumatorët në nevojë kanë paraqitur 14.500 aplikantë dhe në shpalljen për konsumatorët vulnerabël 4.305 aplikantë.

Sipas shpalljes publike për përkrahje financiare përmes ndarjes së vauçerëve për blerje dhe instalim të kondicionerëve inverter me efikasitet të lartë për konsumatorët në nevojë për vitin 2024, ofrohen vauçerë prej 27.000 denarë për personat me të ardhura të ulëta me dy anëtarë dhe 35.000 denarë për amvisëri me tre anëtarë. Për amvisëritë me katër anëtarë parashihet vaucer prej 30.000 denarë, ndërsa për amvisëritë me pesë e më shumë anëtarë – 45.000 denarë. Gjithashtu, për konsumatorët jo të cenueshëm nga rajoni i Pellagonisë dhe Jugperëndimit janë siguruar vauçerë prej 25.000 denarë, ndërsa për rajonet e tjera nga 23.000 denarë.

Merxhane Iseni /SHENJA/

MARKETING