BDI kërkon dorëheqjen e Astrit Isenit: VLEN-i të tregojë çfarë ka bërë për rastin e të rinjve nga Saraji
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kritikuar VLEN-in për qëndrimin e tij lidhur me rastin e dy të rinjve nga Saraji, të cilët kanë denoncuar keqtrajtim nga zyrtarët policorë, duke kërkuar veprime konkrete institucionale, zbardhjen e plotë të rastit dhe dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.
Në reagimin e saj, BDI-ja vlerëson se deklaratat për drejtësi dhe sundim të ligjit duhet të shoqërohen me hapa konkretë, veçanërisht kur bëhet fjalë për një subjekt politik që është pjesë e pushtetit. Sipas partisë, shprehja e shqetësimit nuk mjafton pa përgjegjësi politike dhe angazhim institucional.
BDI-ja i kërkon VLEN-it të sqarojë se çfarë masash ka ndërmarrë për zbardhjen e rastit, duke theksuar se përgjegjësia e përfaqësuesve të pushtetit nuk mund të zëvendësohet me deklarata të përgjithshme.
“VLEN-i, në vend që të fshihet pas deklaratave të përgjithshme për drejtësi dhe sundim të ligjit, duhet t’u përgjigjet qytetarëve se çfarë ka bërë konkretisht për zbardhjen e rastit të dy të rinjve nga Saraji, të cilët kanë denoncuar keqtrajtim nga zyrtarët policorë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia thekson se kundërshtimi i dhunës policore duhet të shoqërohet me angazhim konkret për trajtimin e denoncimeve dhe me garanci se rasti do të hetohet në mënyrë të paanshme, pa u relativizuar apo mbuluar.
“Është e lehtë të thuhet se dhuna nuk justifikohet me uniformë dhe se shkelësit duhet të përgjigjen para ligjit. Por, kur je pjesë e pushtetit, nuk mjafton të shprehësh shqetësim dhe të presësh përfundimin e hetimeve. Kërkohet përgjegjësi politike, veprim institucional dhe garanci se raste të tilla nuk do të relativizohen apo të mbulohen”, thekson BDI-ja.
BDI: Përgjegjësia duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve
Duke iu referuar debatit për përkatësinë etnike të zyrtarëve policorë, BDI-ja nënvizon se përgjegjësia duhet të përcaktohet ekskluzivisht mbi bazën e fakteve dhe provave. Sipas saj, zhvendosja e debatit drejt përkatësisë etnike rrezikon të largojë vëmendjen nga thelbi i denoncimit dhe nga përgjegjësia e institucioneve.
“BDI-ja nuk kërkon që përgjegjësia të përcaktohet mbi baza etnike, por mbi bazën e fakteve dhe provave. Pikërisht për këtë arsye, çdo përpjekje për ta zhvendosur debatin te përkatësia etnike e policëve është shmangie nga thelbi i çështjes: a është ushtruar dhunë, kush mban përgjegjësi dhe a kanë vepruar institucionet me kohë dhe në mënyrë të paanshme?”, thuhet në reagim.
Sipas BDI-së, hetimi duhet të përfshijë jo vetëm përgjegjësinë eventuale individuale të zyrtarëve policorë, por edhe veprimet apo mosveprimet e institucioneve përgjegjëse.
Partia vlerëson se përgjegjësia individuale dhe ajo institucionale duhet të trajtohen paralelisht, përmes një procesi të plotë dhe transparent.
“Përgjegjësia individuale e zyrtarëve policorë dhe përgjegjësia institucionale nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato duhet të ecin paralelisht. Hetimi duhet të jetë i plotë dhe transparent, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të japin llogari për çdo veprim apo mosveprim”, thekson partia.
Kërkohet dorëheqja e ministrit Astrit Iseni
Në përfundim të reagimit, BDI-ja përsërit kërkesën për zbardhjen e plotë të rastit dhe për përgjegjësi institucionale e politike, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.
“Prandaj, BDI-ja përsërit kërkesën për zbardhjen e plotë të rastit dhe për përgjegjësi institucionale e politike. Ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, duhet të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si trajtohet ky rast dhe të japë dorëheqje”, thuhet në komunikatë.
BDI-ja e përmbyll reagimin me thirrjen që institucionet të veprojnë për të garantuar zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e përgjegjësisë, duke theksuar se besimi i qytetarëve te drejtësia nuk mund të ndërtohet vetëm përmes deklaratave publike.
“Drejtësia nuk mbrohet me deklarata, por me veprime konkrete. Kur dy të rinj denoncojnë dhunë nga policia, pushteti nuk mund të mjaftohet me fjalë – ai duhet të garantojë të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë”, përfundon reagimi i BDI-së.

