Gaza, vri’tet edhe një tjetër punonjës mediatik nga ush’tria izra’elite
Një tjetër punonjës mediatik palestinez u vra nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Në një deklaratë, Zyra e Mediave e Qeverisë së Gazës njoftoi se fotoreporteri Bilal Rajab u vra nga ushtria izraelite në Gaza.
Në deklaratë i kërkohet komunitetit ndërkombëtar dhe grupeve ndërkombëtare të gazetarëve të ndjekin penalisht Izraelin para gjykatave ndërkombëtare për krimet e tij kundër palestinezëve dhe gazetarëve.
Vdekja e Rajabit e çon numrin e gazetarëve të vrarë nga Izraeli në Gaza që nga 7 tetori 2023 në 183, vuri në dukje Zyra e Medias.
Më herët gjatë ditës, sekretari i përgjithshëm i OKB-së tha se vrasjet e gazetarëve janë “të papranueshme”, duke kërkuar mbrojtjen e pjesëtarëve të medias.
Izraeli ka vazhduar një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga tetori i vitit të kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Më shumë se 43.200 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 101.800 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga SHBA, Egjipti dhe Katari për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe shkëmbim të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar për shkak të refuzimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të ndalur luftën.
Izraeli përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.