Shtohen zërat për kthimin e Alonsos në Real Madrid, por Ancelotti mund të mbetet në klub
Xabi Alonso supozohet të zëvendësojë Carlo Ancelottin verën e ardhshme te Real Madridi, pasi dëshmoi aftësinë e tij me Bayer Leverkusen sezonin e kaluar.
Trajneri spanjoll, i cili ka bërë bujë me suksesin e tij të fundit në Gjermani, ka rënë në sy të drejtuesve të Real Madridit si kandidati ideal për të marrë drejtimin e Los Blancos, shkruan Relevo.
Interesi i Real Madridit për Alonson vjen mes një fillimi jo të lehtë të sezonit të tyre aktual në La Liga, i cili ka bërë që të shqyrtohet pozita e Carlo Ancelottit – veçanërisht pas disfatës dërrmuese me rezultat 4-0 ndaj Barcelonës, duke i lënë ata gjashtë pikë larg rivalëve të tyre katalanas.
Është raportuar se Bayer Leverkusen po parashikon gjithashtu largimin e Alonsos në mbyllje të sezonit, veçanërisht pasi ai kishte refuzuar më parë ofertat nga klubet kryesore evropiane si Liverpool dhe Bayern Munich.
Në vitin 2022, ai mori drejtimin e Bayer Leverkusen dhe sezoni i tij i parë i plotë 2023/24 ishte asgjë më pak se i jashtëzakonshëm.
Nën drejtimin e tij, klubi gjerman theu dominimin 11-vjeçar të Bayern Munichu në Bundesligë dhe shkoi në një seri rekord prej 49 ndeshjesh pa humbje.
Kjo ecuri përfshinte jo vetëm titullin e ligës, por edhe një fitore të Kupës së Gjermanisë dhe një paraqitje në finalen e Ligës së Evropës.
Relevo më tej përmendi se presidenti i Real Madridit, Florentino Perez pritet t’i ofrojë Ancelottit një rol alternativ në klub pasi ai të lirohet nga detyrat e tij si trajner.
Edhe pse detajet janë ende të pasigurta, një pozicion ambasadori apo këshilltar i lartë mund të jetë në kartat e klubit për 65-vjeçarin italian, një lëvizje që do t’i mundësonte atij të vazhdojë të kontribuojë në trashëgiminë e klubit në një cilësi tjetër.
Trajneri ka një lidhje të gjatë dhe të fortë me klubin dhe ka fituar 14 trofe gjatë dy qëndrimeve të tij.
Pas shtyrjes së ndeshjes së tyre të planifikuar në La Liga me Valenciam, Real Madrid do të përballet me AC Milan në Ligën e Kampionëve në “Santiago Bernabeu” të martën. /Telegrafi/