(VIDEO) Mickoski: Komunat marrin pjesën e parë prej 250 milionë euro për investime kapitale
Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot ka nënshkruar marrëveshjet për ndarjen e mjeteve për realizimin e projekteve kapitale, për të cilat komunat morën pjesë në thirrjen publike. Më shumë mjete janë paraparë për investime në infrastrukturën e transportit, për çka Qeveria u ndau komunave 2 miliardë e 800 milionë denarë, të cilat pritet të investohen në rrjetin lokal rrugor, rrugë, shtigje, rrugë qasëse. Për projekte në arsim do të ndahen rreth 133 milionë denarë, me të cilat do të rinkonstruohen, ndërtohen dhe modernizohen shkolla dhe salla sportive dhe dhe do të përmirësohen kushtet në arsim. Në fushën e politikës sociale, demografisë dhe të rinjve do të ndahen 59 milionë denarë me të cilat do të ndërtohen kopshte të reja. Në fushën e sportit do të ndahen 220 milionë denarë me të cilat do të ndërtohen qendra sportive, parqe dhe salla sportive. Në fushën e kulturës dhe turizmit do të ndahen afër 200 milionë dhe në fushën e ekologjisë do të ndahen 630 milionë denarë për investime në kanalizime atmosferike dhe dekale, kolektorë, ujësjellës dhe projekte të tjera.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Sot është nënshkrimi i kontratave ndërmjet ministrive të qeverisë dhe njësive të vetëqeverisjes lokale, përkatësisht komunave që kanë marrë pjesë në thirrjen publike, kanë përmbushur kushtet dhe kanë pranuar mjete nga projekti në vlerë të përgjithshme prej 250 milionë euro për investime kapitale për komunat, një pjesë e atyre mjeteve do të realizohen në këtë buxhet, pjesa e mbetur e plotësuar me ato mjete që mungojnë do të jetë me buxhetin e ardhshëm për vitin e ardhshëm. Sipas thirrjes së parë të shpallur nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, sot kemi përfshirë kontrata për 274 projekte me vlerë të përgjithshme prej rreth 4,1 miliardë denarë”.
Mickoski tha se, për komunat që nuk morën asnjë projekt, në mesin e të cilave është edhe Qyteti i Shkupit, do të ketë afat shtesë.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Ato katër komunat të cilat nuk u është miratuar fare asnjë projekt sepse janë vonur me dokumentet dhe në bazë të një vendimi qeveritar afati është vazhduar deri më 15 nëntor, kështu që do të kenë afat deri më 15 nëntor të dorëzojnë atë që u ka munguar. Por një pjesë e këtyre komunave që i përmenda po ashtu, kanë projekte të miratuara, por mungojnë disa nga dokumentat dhe ato po ashtu, do të duhet t’i plotësojnë dokumentet dhe ky numër prej mbi 200 projekte të shkojë në 330-340-350. Kështu që, të gjithë që kanë investime kapitale do të përfshihen”.
Duke komentuar deklaratën e kryetarit të Komunës së Strumicës, i cili paralajmëroi se do të dalë nga BNJVL, si akt revolte pasi kjo komunë nuk mori asnjë projekt, Mickoskit tha se është një vendim i gabuar dhe nëse sjell edhe formalisht një vendim të tillë, atëherë kryetari duhet fillimisht të konsultohet me këshillin e komunës.
Teuta Buçi /SHENJA/