(VIDEO) Lidhja e Sindikatave të RMV-së kërkon rritje të pagave në të gjithë sektorët
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut kërkon rritje të pagave në të gjithë sektorët që nuk kanë pasur rritje këtë vit si dhe shqyrtimin e propozimeve për ndryshime në propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm. Kryetari i Lidhjes së Sindikatave, Sllobodan Trendafilov thotë se jeta në vend është bërë e vështirë pasi që duhet të mbijetosh me pagë të ulët e me çmime të larta.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LIDHJES SË SINDIKATAVE
“Paga minimale duhet të rritet më shpejt, jeta është gjithnjë e më e shtrenjtë dhe është e vështirë të mbijetosh me 370 euro ndërsa shporta e sindikatës është më shumë se 1000 euro”.
Trendafilovski kërkoi masa më rigoroze për tregtarët, pasi siç thotë ai tregtarët janë lakmitarë pasi që tentojnë të kenë fitim më të lartë në kurriz të qytetarëve.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LIDHJES SË SINDIKATAVE
“Tregtarët shfrytëzuan periudhën kur u paralajmërua masa e kufizimit të marzhës, kështu që fillimisht i rritën çmimet dhe më pas me hyrjen në fuqi të masës ata i ulën çmimet. Nuk presim shumë nga Ligji për praktika të padrejta tregtare, sepse Inspektorati Shtetëror i Tregut është me pak të punësuar të cilët duhet të kontrollojnë një numër të madh të marketeve”.
Që nga muaji maj, LSM-ja ka kërkuar që paga minimale të rritet së paku në 450 euro, e cila sipas llogaritjeve të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave është 22.567 denarë ose 366 euro.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/