Gashi takon homologun e tij ukrainas: RMV vazhdon të qëndrojë krah Ukrainës
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi ka takuar homologun e tij nga Ukraina, Ruslan Stefanchuk në Riga të Letonisë në kuadër të Samitit të Tretë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë.
Sipas Gashit, ky takim ishte një mundësi për të forcuar marrëdhëniet bilaterale dhe konfirmim i mbështetjes për sfidat që kërcënojnë demokracinë dhe lirinë.
“Diskutuam mbi situatën aktuale dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në dimensione të ndryshme të avancimit të demokracisë, integrimit në BE dhe sigurisë. U pajtuam që rol të veçantë në zgjerimin e bashkëpunimit, kanë angazhimi në NATO dhe grupet parlamentare të miqësisë”, ka shkruar Gashi.
Kryeparlamentari mes tjerash ka njoftuar se Stefanchuk u shpreh mirënjohës për kontributin e deritanishëm të RMV-së në luftën kundër agresionit rus, ndërsa njoftoi se e ka siguruar atë që RMV vazhdon të qëndrojë krah Ukrainës në këtë periudhë të vështirë.