(VIDEO) Hapet në Kuvend “Dhoma e Shurdhër” e mbrojtur nga përgjimi
“Dhoma e shurdhër” e Kuvendit prej sot do të jetë në funksion, ndërsa promovimi i saj u bë në prani të korit diplomatik dhe gjithë sektorit të sigurisë. Hyrja në këtë dhomë është pa asnjëlloj pajisje elektronike, madje me vete nuk mund të kesh qoftë edhe një shishe plastike me ujë. E ndërtuar nga materiale që parandalojnë ndjekjen dhe përgjimin e pautorizuar, në të mund të marrin pjesë vetëm persona me certifikatë sigurie, për të cilët paraprakisht duhet të miratohet leja nga kryetari i Kuvendit. Në të nuk ka as valë e as internet, por thjeshtë biseda që do të zhvillohet mes palëve. Përveç drejtorëve të institucioneve të sigurisë, ministrat dhe antarë të Këshillit të Sigurisë, atë mund ta përdorin edhe institucionet e tjera por që kanë certifikatë sigurie dhe me leje të kryeparlamentarit. Kjo dhomë nuk ka as toalet, për shkaqe sigurie.
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, tha se kjo dhomë është e para e këtij lloji në vendin tonë dhe është e pajisur me standardet më të larta të mbrojtura nga rrezatimi.
Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit
“Kjo dhomë është e projektuar në nivelin më të lartë të mbrojtjes, për dokumentet konfidencaiale. Dhoma e mbrojtur i plotëson të gjitha standardet audio dhe audio-vizuale dhe kundër rrezatimit dhe posedon pajisje që sigurinë e informacionit të klasifikuar, duke ju përmbajtur standardeve më të larta të mbrojtur nga rrezatimi”.
Kjo dhomë është në përputhje me standardet e NATO-s dhe BE-së dhe është në kuadër të programit për reforma në sektorin e Inteligjencës dhe Sigurisë. Hapësira e saj është ndërtuar DCAF- Qendra e Gjenevës për Menaxhimin e Sektorit të Sigurisë.
Emine Ismaili /SHENJA/