(VIDEO) Eurointegrimet, opozita pret, qeveria s’ka të reja
Kryeministri Hristijan Mickoski do ta informojë opozitën rreth procesit eurointegrues kur të ketë detaje të reja apo ndonjë përparim në raportet me Bullgarinë. Kështu ka deklaruar vet ai gjatë emisionit “Studio e Hapur” në servisin publik, duke komentuar kërkesën e liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, që të mbahet seancë e mbyllur parlamentare në të cilën Qeveria do të prezantojë planin dhe hapat e ardhshëm për procesin e integrimeve evropiane. Kryeministri tha se, nuk do ta përsërisë gabimin e LSDM-së, të cilët kur ata ishin në pushtet, siç tha ai, e kanë përfshirë me vonesë apo fare nuk e kanë përfshirë opozitën maqedonase në procesin eurointegrues.
Hristijan Mickoski, kryeministër i RMV-së
“Nuk po e përsërisim të njëjtin gabim dhe nuk do ta përsërisim. Kur do të ketë diçka të re për të cilën duhet të informohet opozita, atëherë më besoni do ta informojmë menjëherë. Domethënë të ketë ndonjë progres që ta ndajmë me opozitën. Tani për tani, gjithçka ka të bëjë me pozicionimin dhe vendosjen e lojës dhe nuk ka lëvizje apo përparim. Në momentin e parë kur do të ketë ndonjë ndryshim do t’i informojmë, do ta thërras personalisht dhe do ta thërras dhe një takim liderësh me të gjithë dhe do t’i njoftoj me progresin apo zgjidhjen e mundshme”.
Edhe përkundër përgjigjes së Mickoskit, LSDM insiston që të thirret seancë si dhe kritikon Qeverinë se nuk po ndermerr hapa për ta zgjidhur problemin e bllokadës së euro-integrimeve,
LSDM
“Kryeministri Mickoski dhe Qeveria kanë obligim para deputetëve dhe qytetarëve që të prezantojnë planin për vazhdimin e integrimeve evropiane të vendit dhe përmirësimin e pozitave në kornizën negociuese me afate të caktuara, siç u ishte premtuar qytetarëve para zgjedhjeve. Përkundër premtimeve të bëra për kushte më të mira në negociata, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap i dukshëm nga Qeveria, nuk ka asnjë iniciativë dhe as afate se kur mund të ndodhë kjo. Përkundrazi, procesi është plotësisht i bllokuar nga Qeveria”.
Kujtojmë se lideri i LSDM-së, Venko Filipçe javën e kaluar në një dalje televizive i bëri thirrje kryeministrit që të thërrasë një seancë të mbyllur parlamentare për hapat e ardhshëm për procesin e integrimeve evropiane. Nëse Mickoski nuk e bën këtë, Filipçe tha se një seancë të tillë do ta iniciojë grupi parlamentar i LSDM-së në Kuvend.
Teuta Buçi /SHENJA/