Mickoski: Me kryeministrin e Serbisë Vuçevic biseduam për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve
Përfaqësuesit e qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë sot në Shkup nënshkruan memorandum për bashkëpunim në fushën e energjetikës, minierave dhe resurseve minerale. Siç ka sqaruar kryeministri Hristijan Mickoski, në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegun e tij serb, Millosh Vuçeviq, pjesë e prioriteteve të dy qeverive në periudhën e ardhshme do të jetë ndërtimi i interkonjektorit të gazit nga Greqia përmes Maqedonisë në Serbi dhe Evropën Qendrore si dhe realizimi i Korridorit 10, pra hekurudha e shpejtë nga Shkupi për në Serbi dhe Greqi.
Ja dhe deklarata e plotë e kryeministrit Mickoski:
“Sot këtu në Shkup patëm takim të rëndësishëm dhe të sinqertë me kryeministrin e Republikës së Serbisë, z. Millosh Vuçeviq.
Takimi ynë ishte më shumë se një takim formal, ishte shprehje e dëshirës së përbashkët për një të ardhme më të mirë dhe përforcimin e lidhjeve mes dy vendeve tona.
Në qendër të bisedave tona ishte të kuptuarit se shkëmbejmë shumë më tepër se një kufi të përbashkët. Shumë nga qytetarët e të dy vendeve ndajnë historinë, kulturën, lidhjet familjare dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, aspiratat e përbashkëta për prosperitet dhe paqe për popujt tanë.
Biseduam për mënyrat se si të thellojmë bashkëpunimin ekonomik, si të lidhim njerëzit tanë dhe si të krijojmë mundësi për brezat që vijojnë.
U fokusuam veçanërisht në bashkëpunimin kulturor dhe arsimin. Ramë dakord që investimi në të rinjtë është investim në të ardhmen. Kur të rinjtë tanë të lidhen edhe më shumë, të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të krijojnë projekte të përbashkëta, atëherë jemi të sigurt se rajoni do të ecë përpara.
Po ashtu, biseduam për sfidat me të cilat përballet rajoni. Në këto kohë të trazuara, është thelbësore që të qëndrojmë së bashku, të jemi zëri i arsyes dhe të punojmë drejt stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë rajonin. E theksuam rëndësinë e dialogut si e vetmja mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet.
Për sa i përket aspiratave tona evropiane, e konfirmuam vizionin e përbashkët se e ardhmja e rajonit është Bashkimi Evropian. E dimë se rruga për të arritur atje nuk është e lehtë, por besojmë se me përpjekje të përbashkëta dhe mbështetje mund të përmbushim kriteret dhe të sjellim përfitimet e integrimit evropian tek qytetarët e rajonit.
Gjithashtu mund të them se biseduam për lidhjen energjetike të dy vendeve. Në mënyrë të veçantë theksuam rëndësinë e ndërtimit të interkonjektorit të gazit që lidh ose do të lidhë të dy vendet në të ardhmen. Sepse tani jemi në fazën e përfundimit të procedurës së tenderimit me të cilën përfundimisht do të nisë ndërtimi i interkonjektorit me fqinjin tonë jugor, për të siguruar mundësi shtesë për furnizimin me gaz të Evropës Qendrore. Ky interkonjektor me fqinjin tonë verior është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ky ishte një nga segmentet e rëndësishme në bisedat tona.
Jemi në fazën e vënies në përdorim ose të tubacionit të produktit ose në opinion e njohur si naftësjellësi i cili lidh vendin tonë me fqinjin tonë jugor. Vlerësojmë se do të ishte një opsion i mirë, të lidhnim të njëjtin tubacion të produktit apo naftësjellësit me fqinjin tonë verior dhe në këtë mënyrë të sigurojmë edhe një korridor tjetër.
Biseduam edhe për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë, e cila është pjesë e Korridorit 10, i cili është prioritet strategjik i Qeverisë sonë, ashtu siç është edhe Korridori 8. Por prioritet ynë i përbashkët është ndërtimi i Korridorit 10 edhe me fqinjin tonë të veriut dhe me fqinjin tonë të jugut. Dhe në këtë mënyrë praktikisht i kemi përfshirë ato tema të cilat janë të rëndësishme, e patë edhe vetë, morët pjesë në nënshkrimin e Memorandumit për Bashkëpunim në fushën e energjetikës, minierave dhe resurseve minerale. Kështu që mund të them se lidhja rajonale mbetet prioritet për të dy vendet dhe kjo lidhje rajonale duhet të jetë pjesë e lidhjes dhe integrimit të ardhshëm brenda Bashkimit Evropian.
Po ashtu biseduam edhe për mbajtjen e qeverive të përbashkëta, diçka që zakonisht e bëjmë me mbledhjet e qeverisë, njëlloj siç bëjnë edhe me fqinjët tanë të tjerë. Kështu që mendoj se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivel jashtëzakonisht të lartë edhe në periudhën që vijon të njëjtat duhet t’i thellojmë.
Si Qeveri orientimi ynë është përsëritur shumë herë, do ta përsëris edhe sot, ka të bëjë me ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët tanë dhe normalisht së bashku si rajon të jemi pjesë e Bashkimit Evropian”.