ASH: Po kthehemi në kohën e Jugosllavisë, kur fëmijët shqiptarë nuk pranoheshin në spitale
Për brenda 1 muaji, dy raste të mostrajtimit ose keqtrajtimit në Klinikën Universitare për sëmundje të fëmijëve në Shkup. Rasti i dytë i foshnjës 14 muajshe përfundoi në mënyrën tragjike dhe përsëri e vetmja përgjigje është se “rasti do të hetohet”, “inspektorati do të dalin në terren”, por gjithçka përfundon në fjalë boshe dhe asnjëherë nuk vihet drejtësia në vend.
E gjithë kjo ndodh në kohën kur edhe drejtori edhe ministri i shëndetësisë thonë që janë shqiptarë.
Me tragjëditë e këtilla po kthehet koha e ish Jugosllavisë, ku fëmijët shqiptar vdisnin sepse nuk i pranonin nëpër klinika ose i trajtonin keq edhe kur i pranonin.
Për të mos mjaftuar kjo, si në rastin e parë edhe në rastin e dytë, në vend që të hetohen dhe sillen para drejtësisë mjekët e papërgjegjshëm, hidhen akuza nga më të ndryshmet për prindërit e fëmijëve. Në rastin e parë i akuzuan për keqkuptim e tani tentohet që babai të akuzohet për reagimin e tij që erdhi si pasojë e papërgjegjësisë së mjekëve me epilog fatal.
Pyesim publikisht se edhe sa fëmijë do të pësojnë dhe sa familje do të përballen me tragjëdi të këtilla që dikujt t’i kujtohet të veprojë e të ndjejë përgjegjësi? Fëmija i kujt e ka radhën që të përballet me këto klinika që për një kohë të shkurtër po shndërohen në morg për fëmijët shqiptarë?