(VIDEO) 700 qytetarë të Shkupit mund të marrin subvencione për biçikleta, shpallet thirrja publike
Qyteti i Shkupit shpall thirrje publike për subvencionimin e biçikletave të blera. Për këtë rast ata informuan se nga buxheti i qytetit janë ndarë 2.800.000 denarë, ndërsa subvencioni do të jetë sa gjysma e çmimit të biçikletës, por jo më shumë se 4.000 denarë. Sipas buxhetit të planifikuar, sqarohet se do të ketë para për 700 qytetarë, ndërsa thirrja është e hapur deri më 31 tetor.
QYTETI I SHKUPIT
“Për të rimbursuar një pjesë të shpenzimeve dhe për të vërtetuar se janë plotësuar kushtet për pjesëmarrje në thirrjen publike, aplikanti është i detyruar të paraqesë kërkesën e kompletuar për subvencionim për blerjen e një biçiklete, e cila është publikuar në faqen e internetit të qytetit të Shkupit”.
Më tej, për të përmbushur aplikimin, duhet të bashkangjitin edhe një deklaratë e noterizuar se aplikanti pranon që të dhënat e tij personale të përdoren ekskluzivisht për pjesëmarrje në këtë thirrje publike, nga ku dhe shtuan se është e nevojshme edhe kopje e llogarisë së transakcionit, si dhe dëshmi se është blerë një biçikletë e re, duke bashkangjitur llogarinë origjinale fiskale të lëshuar nga 01.01.2024 deri në shterimin e burimeve financiare të synuara.
Për këtë aplikim, një person mund të paraqesë vetëm një kërkesë në thirrjen publike për subvencionim për blerjen e një biçiklete.
Qytetarët duhet dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në Arkivin e Qytetit të Shkupit në zarf të mbyllur me shënimin “Drejtoria për mbrojtje të mjedisit jetësor – Komisioni për subvencionimin e qytetarëve për blerjen e biçikletave në vitin 2024”.
Anida Murati /SHENJA/