Nesër hyn në fuqi Ligji për praktika të padrejta tregtare, pritet ulje e çmimit të 2500 produkteve
“Ligji për praktikat e padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore fillon më 28 shtator 2024, respektivisht nesër.
Kjo do të thotë se nesër është afati i fundit që blerësit dhe furnizuesit të lidhin kontrata të reja për furnizimin e produkteve bujqësore dhe ushqimore, në të cilat zbritja dhe kostot shtesë, respektivisht kompensimit, kufizohen në 10%. Lista e produkteve bujqësore dhe ushqimore përmban 2548 shifra tariforë. Këtu janë produktet që janë me 5% TVSH dhe 10% TVSH, tha në deklaratën për mediat ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi.
Siç informoi ministri Durmishi, kompensimet lejohen të jenë jo më të larta se 10% të qarkullimit të realizuar në vitin rrjedhës, për:
-vendosje të rafteve në vendin e shitjes të blerësit,
– reklamimi i produkteve bujqësore dhe ushqimore,
– marketing të produkteve bujqësore dhe ushqimore,
– angazhim të personelit për pajisjen e hapësirave të blerësit në të cilat bëhet shitja e produkteve bujqësore dhe ushqimore
– rabat (përcaktim kombëtar)
“Dua të theksoj se ky ligj nuk rregullon marzhin tregtar, por ndalon kostot shtesë (kompensimet) që furnizuesit kanë qenë të detyruar t’i paguajnë në mënyrë që produktet e tyre të shiten nga blerësit. Me zbatimin e këtij ligj, ne presim rezultate në afat të gjatë dhe ulje të çmimeve të këtyre produkteve në listën deri në së paku 10%, respektivisht presim rezultatet e para me çmime të ulura deri në fund të tetorit, kur presim të harxhohen rezervat nga kontratat paraprake dhe do të të fillojnë të shiten produktet në përputhje me kontratat e reja. Ligji siç e dini është miratuar më 20 mars të vitit 2024 dhe tregtarët dhe furnizuesit kishin afat prej gjashtë muajve për të harmonizuar kontratat, respektivisht për të lidhur kontrata të reja, jo më vonë se 27 shtator. Që do të thotë se nesër fillon zbatimi efektiv i këtij ligji”, tha ministri.
Ky ligj është miratuar në bashkëpunim me të gjitha palët e interesuara, tregtarët, prodhuesit dhe shpërndarësit, dhe nuk do të ketë prolongim në zbatimin e tij. Kontroll mbi zbatimin e këtij ligji ushtron Komisioni për mbrojtjen nga konkurrenca.
Në koordinim, Komisioni për mbrojtjen nga konkurrenca në tre muajt e ardhshëm, respektivisht deri në fund të vitit, në mënyrë që t’u dalë në ndihmë të gjitha palëve të interesuara, nëse përcaktohet se dispozitat e Ligjit nuk do të respektohen gjatë lidhjes së kontratave të reja, do të ketë paralajmërime, respektivisht nuk do të kalohet menjëherë në dënim.
Respektivisht, në periudhën e ardhshme prej 3 muajsh ose deri në fund të vitit 2024, do të bashkëpunohet me kompanitë për të përcaktuar nëse kontratat janë lidhur siç duhet ose nëse dispozitat e ligjit janë përfshirë në mënyrë adekuate.
Nga viti 2025, do të ushtrohen kontrollet e rregullta nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Ndërkohë, për të mbrojtur qytetarët nga goditjet e çmimeve derisa të ndjehen rezultatet e para të Ligjit për praktikat e padrejta tregtare, miratuam vendimin për kufizimin e marzhit në 10% në tregtinë me shumicë dhe tregtinë me pakicë të 73 produkteve themelore ushqimore.
Vendimi është duke u zbatuar, respektivisht, sipas analizave të para të Ministrisë së Ekonomisë, çmimet e këtyre produkteve ulen mesatarisht nga 5-10%,
Te disa produkte ulja është më e vogël dhe te disa produkte mungon sepse në ato produkte marzhi nuk ka qenë më i lartë se 10%.