Meta: Propozimi për Shtetin Bektashi, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot lidhur me idenë e krijimit të “Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi”.
Sipas Metës, kjo ide u hodh në prag të fushatës elektorale dhe është e pakonsultuar.
“Është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës që sanksionon se “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”, kjo është një shashkë njëkohësisht, për të larguar vëmendjen nga skandalet dhe aferat korruptive si dhe problemet shumë të rënda me të cilat përballet Shqipëria”, deklaroi ai gjatë një konference për shtyp.
Meta tha se çdo përpjekje politike dhe diplomatike për të promovuar një nga vlerat kombëtare, tolerancën e mrekullueshme ndërfetare, por edhe për të identifikuar Shqipërinë me qendrën botërore të bektashizmit është e mirëpritur.
Por theksoi ai, “kurrsesi ajo jo vetëm nuk mund të keqpërdoret në funksion të axhendave elektorale të momentit apo okulte, aq më tepër kur nuk janë të konsultuara dhe të mirëstrukturuara dhe kur rrezikojnë të kthehen në një precedent të rrezikshëm për rajonin tonë, ku ende gëlojnë idetë ogurzeza dhe fantazmat e ndryshimit të kufijve”.
Meta deklaroi se keqpërdorimi i fesë bektashiane dhe çdo besimi tjetër, për qëllime dhe nisma okulte është i papranueshëm.
Meta shprehet se Partia e Lirisë, me ardhjen në pushtet, brenda një viti do të kthejë të gjithë pronat ose do t’i kompesojë të gjitha komunitetet fetare.
Meta u ndal dhe te situata ekonomike në vend ku tha se rritja e të ardhurave në 27.3 miliard lekë është vetëm si rezultat i rritjes së çmimeve.
Sipas tij, shpërndarja e këtyre të ardhurave vazhdon të ndjekë të njëjtin model, atë të rritjes së shpenzimeve operative dhe të atyre kapitale.
Ai risolli në vëmendje se Partia e Lirise ka propozuar rritjen e pagave për të gjithë administratën pa diferencime, rritjen e pensioneve të të gjitha kategorive, si dhe rritjen e të gjitha përfitimeve sociale të të gjitha kategorive, në bazë të indeksit të inflacionit të artikujve ushqimorë të vitit 2023 në 9.4%, si dhe të rritjes ekonomike reale në vitin 2023 në 3.4%.