Janevska fajëson drejtorët e shkollave për mungesën e teksteve shkollore

Janevska fajëson drejtorët e shkollave për mungesën e teksteve shkollore

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska ka fajësuar drejtorët e shkollave për mungesën e librave, të historisë dhe gjeografisë për klasat e gjashta dhe të teta. Sipas saj, drejtorët është dashur t’i porosisin me kohë librat që të mos vijë deri te kjo situatë. Ndërsa libra për lëndët zgjedhore, siç është ajo e informatikës, thotë se nuk është patjetër të ketë, pasi nxënësit mund të marrin njohuri përmes punës interaktive me mësimdhënësit.

“Bashkë me Byronë për zhvillimin e arsimit kemi publikuar se për cilat lëndë duhet dhe për cilën lëndë nuk duhet tekste shkollore. Për lëndët zgjedhore, pjesët e konceptit të ri, që ne si qeveri e re i pranojmë, thotë se nuk duhet të ketë libra, por, se nxënësit përmes punës interaktive mes vete dhe me mësimdhënësit do ti përforcojnë njohuritë”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Lidhur me mungesën e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, Janevska tha se me rishikimin e buxhetit janë siguruar mjete dhe konkursi është i hapur për 200 asistentë.

Ajo foli edhe për ankesën e prindërve për çmimet e larta të mjeteve shkollore dhe është arsyetuar se buxhetin në dikasterin e saj e ka gjetur në gjendje shumë të rëndë, por premtoi se nga viti i ardhshëm do të ketë lehtësime për prindërit. Në mbledhjen e fundit të Qeverisë u vendos kufizimi i çmimeve për të gjitha mjetet shkollore.

MARKETING