Hiseni: Pranimi i fajit nga Memeti dhe Georgiev – dëshmi e hidhur e uljes së mëtejshëm të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë

Hiseni: Pranimi i fajit nga Memeti dhe Georgiev – dëshmi e hidhur e uljes së mëtejshëm të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë

Pranimi i fajit nga Ixhet Memeti, një individ me përvojë të gjatë dhe me ndikim në sistemin tonë shtetëror, trondit themelet e drejtësisë së brishtë në këtë vend.

Gjatë qeverisjes 22-vjeçare të BDI-së, z. Memeti mbante poste të rëndësishme si Ministër i Drejtësisë, Gjyqtar Kushtetues dhe Avokati i Popullit, duke u bërë një figurë përfaqësuese e drejtësisë në vendin tonë. Por ky rast i fundit konfirmon atë që ne si koalicion e kemi dënuar gjatë gjithë kohës: korrupsionin e pariparueshëm dhe të thellë në sistemin e drejtësisë.

Pranimi i fajit nga z. Memeti, së bashku me gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, z. Naqe Georgiev, për ryshfet prej 10 mijë eurosh, me qëllim uljen e dënimit të ish kryetarit të komunës së Novosellës, z. Boro Stojçev është një dëshmi e hidhur e uljes së mëtejshme të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Prokuroria “Abazi” për të shpëtuar kokën ka vendosur të bëjë një marrëveshje me këta persona, duke lehtësuar procedurat dhe dënimet e tyre, ndërsa organet e drejtësisë e kanë pranuar “marrëveshjen” me të njëjtën indiferencë dhe mungesë morali.

Z. Memeti, dikur personi i dytë më me ndikim në Këshillin e Prokurorëve Publikë, vetëm tre muaj më parë deklaroi se nuk kishte bërë asgjë kundërligjore dhe na siguroi se e vërteta do të dalë në shesh. Dhe këtu, sot është e qartë se e vërteta ishte krejtësisht ndryshe.

Në të njëjtën linjë janë dy dekada të deklaratave të BDI-së, të cilat sa herë u kapën në skandale, thirreshin të raportonin në Prokurori, cila prokurori? “Abazi”!

Kur BDI flet për vetingun, ta kemi të qartë: është farsë. Kur flet për drejtësi është gënjeshtër. E ardhmja jonë nuk mund të ndërtohet mbi themelet e drejtësisë së korruptuar dhe të kompromentuar.

Në këto kushte, Koalicioni VLEN ndjen për detyrë të reagojë dhe të ngrejë zërin kundër këtij akti të turpshëm, i cili përbën një pikë kthese në luftën kundër korrupsionit dhe për ndërtimin e një shteti të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.

MARKETING