(VIDEO) Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në takime me Gashin dhe Xhaferin në Shkup

(VIDEO) Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në takime me Gashin dhe Xhaferin në Shkup

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot ka pritur në takim Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po qëndron në Shkup, në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Nga kuvendi njoftojnë se bashkëbiseduesit iu referuan në mënyrë të veçantë bashkëpunimit midis të dy vendeve, duke u pajtuar se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kultivojnë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore dhe miqësi të sinqertë, ndonëse, siç theksuan, ka gjithmonë hapësirë për komunikim më intensiv, si në planin bilateral, ashtu edhe në planin rajonal, si dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

KUVENDI I MAQEDONISË SË VERIUT

Të dy vendet tona gjithmonë kanë pasur qëllime të përbashkëta drejt të cilave shkojmë së bashku. Maqedonia e Veriut para disa vitesh u përballë me pengesën në rrugën drejt NATO-s, ku tani është anëtare e plotfuqishme. Në këtë kontekst. Kryetari Gashi shpreson se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria këtë herë do të vazhdojnë të përparojnë së bashku në rrugën drejt BE-së dhe se në të njëjtën ditë do të bëhen anëtare të plotfuqishme”.

Ndërkaq, Begaj ka realizuar takim edhe me kryeministrin Talat Xhaferi. Nga qeveria njoftojnë se në takim, kryeministri Xhaferi i ka uruar mirëseardhje të ngrohtë Presidentit Begaj, duke shprehur kënaqësi për dialogun e vazhdueshëm politik, si edhe zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, të cilat karakterizohen me raport miqësor dhe vëllazëror i cili është më shumë se vetëm raport i fqinjësisë së mire.

QEVERIA

Vetëm këmbimi ekonomik me Republikën e Shqipërisë nuk e reflekton atë raport të shkëlqyer dhe prandaj bashkëbiseduesit u pajtuan se ai duhet të jetë prioritet edhe për Qeveritë aktuale të dy vendeve, dhe gjithsesi, duke e pasur parasysh zgjedhjen e pritur të përbërjes së re qeveritare në vend pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, edhe për Qeverinë e ardhshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Në kuadër të takimeve Begaj është takuar edhe me Presidentet e vendit, Gordana Siljanovskën dhe ish Presidentin, Stevo Pendarovskin.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING