KFOR: I pasaktë është raporti ku thuhet se negociuam tërheqjen e serbëve në Banjskë më 24 shtator

KFOR: I pasaktë është raporti ku thuhet se negociuam tërheqjen e serbëve në Banjskë më 24 shtator

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR e ka demantuar raportin e publikuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, “Kosova e Veriut: Pohimi i sovranitetit mes besnikërisë së ndarë”.
Në reagimin e KFOR-it potencohet se është e pasaktë pjesa ku në raport thuhet: “Duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit [luftëtarët serbë] në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë”, kjo në lidhje me agresionin që ndodhi në Banjskë në shtator të vitit 2023.

“Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara. Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë”.

“Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi kundër paqeruajtësve të KFOR-it në maj të vitit 2023, i cili rezultoi në plagosjen e 93 personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”, thuhet në reagim.

Ndër tjera, theksohet se pas Basnjkës dhe zhvillimeve gjatë vitit të kaluar, KFOR-i e ka shtuar numrin e ushtarëve.

“NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, ka thënë KFOR.

MARKETING