(VIDEO) Një e treta e qytetarëve duan të largohen nga vendi, kryesisht të moshës 40 – 49 vjeç

Çdo i treti person në Maqedoni të Veriut mendon të largohet nga vendi, tregon hulumtimi i opinionit publik i realizuar për Detektor nga Instituti për hulumtime politike në Shkup. Sipas hulumtimit 32.3% e të anketuarve deklaruan se po mendonin ose kishin menduar ndonjëherë të largoheshin nga vendi, ndërsa 63.6% nuk kishin menduar për këtë temë.
MARKETING
INSTITUTI PËR HULUMTIME POLITIKE
“Është për t’u habitur që më së shumti për emigracionin mendojnë personat nga mosha 40 deri në 49 vjeç, ku 42.5% prej tyre thanë se kishin apo kanë plane për t’u larguar nga vendi. Numra të ngjashmëm prej 42.2% të qytetarëve që mendojnë të largohen janë edhe në grupmoshën 30-39 vjeç, ndërsa ndër më të rinjtë, ata nën 30 vjeç, 37.8% kanë menduar ose po mendojnë të largohen nga vendi”
Krahasimi me anketat e viteve të kaluara, të cilat i ka bërë instituti, nuk tregojnë ndonjë ndryshim të dukshëm në qëndrimet e qytetarëve. Në të gjitha anketat e 5 viteve të fundit, përqindja e qytetarëve që kanë menduar ose po mendojnë të largohen është mbi 30%.
Megjithatë 52,7% e të gjithë qytetarëve të anketuar kanë thënë se në 5 vitet e ardhshme nuk kanë mundësi që të shpërngulen nga vendi, ndërsa 11,5% e të anketuarve janë të sigurt se do të largohen në të njëjtën periudhë.
INSTITUTI PËR HULUMTIME POLITIKE
“Qytetarët shpesh vendosin të largohen për shkak të pagave më të larta (17.2%), kushteve më të mira të punës (15.7%), mundësive më të mira që u ofrohen fëmijëve (12.2%) si dhe sistemit më të mirë shëndetësor dhe arsimor që ofrojnë vendet e huaja (11.5% )”
Tek të rinjtë nën 30 vjeç, pagat e pritshme më të larta (21.7%) dhe kushtet më të mira të karrierës (20.6%) janë arsyet kryesore pse ata largohen ose do të largoheshin nga vendi.
Destinacioni më i preferuar për zhvendosje janë vendet e Bashkimit Europian. 42.7% e qytetarëve thanë se nëse vendosin të largohen, do të shpërngulen në një nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
Dy të tretat e qytetarëve tashmë kanë një të afërm që është shpërngulur jashtë vendit. Krahasimi me anketat e 5 viteve të fundit tregon se numri i qytetarëve që kanë të afërm që janë shpërngulur nga vendi është rritur nga 60% vitin e kaluar në 66.6% këtë vit.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/