(VIDEO) Më 22 maj do të ketë rivotim, administrativja i refuzoi të shtatë paditë e “Frontit Europian”

Gjykata Administrative mbrëmë vonë i refuzoi si të pabaza të shtatë paditë e ngritura nga “Fronti evropian” kundër vendimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për rivotim në zgjedhjet parlamentare. Me vendimet e Gjykatës Administrative vërtetohen vendimet e KSHZ-së për rivotim në gjashtë vendvotime në Njësinë e pestë zgjedhore dhe një në Njësinë e gjashtë zgjedhore – vendvotimet 1202 dhe 1194 në Krushevë, 1470 dhe 1470/1 në Dollnen, 1272 më Ohër, 1844 në Strugë dhe 2101 në Zhelinë.
MARKETING
Sipas Kodit Zgjedhor, në qoftë se vendimi për rivotim në një vendvotim mund të ndikojë në rezultatat përfundimtare të zgjedhjeve, KSHZ-ja do të organizojë sërish votim 14 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve, gjegjësisht më 22 maj.
Pas mesnate, Koalicioni “Vlen” përmes një komunikatei ka përshëndetur vendimet e Gjykatës Administrative dhe ka bërë thirrje për dalje masovike në votimin e përsëritur në vendvotimin ku koalicioni, mund të fitojë edhe një deputet më shumë.
VLEN
“Ky vendim dëshmon edhe njëherë se shpresa për qytetarët në vend po vjen, ndërsa manipulimet dhe krimi i këtij pushteti hibrid po bie. Ndryshimi i filluar më 8 maj, ka filluar të realizohet, por që të jetë edhe më i shpejtë dhe më efikas i ftojmë qytetarët e vendvotimit 2101 – Komuna e Zhelinës, që të mërkurën, më datë 22 maj të dalin dhe të shprehin vullnetin e tyre, të lirë, pa iu nënshtruar trysnive të BDI-së dhe manipuluesve të saj në ikje”.
Me këto vendime të Gjykatës Administrative, do të rrezikohet deputeti i katërt i Frontit Europian në Zonën 5 zgjedhore, konkretisht deputeti Ismail Jahoski, si dhe deputeti i nëntë i Frontit në Zonën 6 zgjedhore, Fatmire Isaku.
Në Zonën e 5-të zgjedhore, LSDM-së i duhet vetëm 110 vota për t’ia marrë deputetin Frontit, ndërsa VLEN-i, nëse merr 370 vota më shumë se Fronti, mund ta marrë deputetin e tetë dhe Fronti ta humb deputetin e nëntë.
Në Zonën 5 zgjedhore, rivotim ka kërkuar VNRO, LSDM dhe Levica, ndërsa në Zonën 6 zgjedhore, rivotim ka kërkuar VLEN-i.
Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituuohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve. /SHENJA/