Osmani edhe këtë vit mbledh liderët botërorë
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, edhe këtë vit për herë të katërt me radhë, do ta organizojë Forumin e Prespës për Dialog, në Shkup më 13 dhe 14 qershor, ku do të mbledh liderët botërorë të cilët në këtë platformë do të debatojnë dhe do shpalosin qëndrimet e tyre lidhur me sfidat rajonale dhe globale si nga fusha e sigurisë, po ashtu edhe në fushat ku reflekton brishtësia e sigurisë, siç janë domosdoshmëria për zgjerim të BE-së, sigurimi i konsistencës dhe progresit ekonomik, etj.
Forumi i Prespës për Dialog është i vetmi forum i këtij lloji që nga pavarësia e vendit, i cili u mundëson politikbërësve me ndikim ndërkombëtarë, në këtë platformë t’i shprehin mendimet e tyre, dhe me këtë Osmani radhiti Maqedoninë e Veriut mes vendeve nikoqirë të forumeve të rëndësishme botërore, siç janë Forumi i Delfit në Greqi, Forumi i Bledit në Slloveni, Forumi Diplomatik i Antalisë etj.
Në vitin e parë të lançimit të Forumit të Prespës për Dialog, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të liderëve botërorë, Osmani e organizoi këtë Forum në Ohër dhe në Prespë (Oteshevë), me qëllim që para faktorëve ndërkombëtar simbolikisht t’i lartësojë dy Marrëveshjet që janë shtylla të progresit të vendit, atë të Ohrit, me të cilën vendi e trasoi trajektoren e paqes dhe funksionimit demokratik të shtetit multietnik, dhe Marrëveshjes së Prespës e cila hapi dyert a NATO-s për vendin.
Vitin e kaluar Forumi i Prespës për Dialog u mbajt në Strugë, ku po ashtu kishte debate të rëndësishme me mesazhe të qarta për sfidat e reja politike me të cilat po ballafaqohet siguria globale, dhe shumë tema të ndryshme që tangojnë rajonin, qasjen drejtë BE-së dhe sfidat ekonomike si pasojë e krizave të sigurisë.