(VIDEO) Nisën përgatitjet formale për qeverinë teknike

Këtë javë do të bëhen përgatitjet për qeverinë teknike, e cila duhet të përfundojë me votim të dielën, më 28 janar. Kjo nënkupton dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministrit Dimitar Kovaçevski, zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit Jovan Mitreski, koordinatorit të grupit parlamentar të LSDM-së si dhe verifikimin e mandatit të ri të një deputeti në vend të Xhaferit dhe eventualisht të deputetëve të tjerë nëse nga radhët e Kuvendit vijnë disa ministra apo zëvendësministra shtesë nga VMRO-DPMNE. Sipas asaj që është publikuar në faqen e Kuvendit, Xhaferi ka caktuar aktivitetin e tij të fundit më 23 janar. Deri në fund të javës pritet edhe dorëheqja e kryeministrit Dimitar Kovaçevski.
MARKETING
Përfaqësuesit e VMRO-DPMNE rregullisht nuk kanë marrë pjesë në koordinimet me Xhaferin gjithashtu nuk ka pasur as përfaqësues të opozitës shqiptare, e cila e bojkoton Kuvendin për shkak se kandidati i tyre për anëtar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nuk është pranuar.
VMRO-DPMNE akoma është e vendosur për mos votim të Talat Xhaferit për kryeministër teknik, ndërkaq kryeministri Dimitar Kovaçevski ditë më parë deklaroi se nëse VMRO-DPMNE nuk e voton qeverinë teknike pozicionet që me ligj i takojnë opozitës në qeverinë teknike do të mbeten bosh. Edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, sipas njoftimeve, nuk do të përkrahin propozimet për ministra në qeverinë teknike që vijnë nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Qeveria teknike nuk do të mbështetet edhe nga Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit.
Qeveria Teknike formohet 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare, të cilat duhet të mbahen më 8 maj, në të njëjtën ditë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahen më 24 prill. Mandati i kësaj Qeverie përfundon me zgjedhjen e Qeverisë së re. Medina Ajeti Ali /SHENJA/